Në Gjirokastër funksionon që prej Majit të këtij viti një muze modest kushtuar Musine Kokalarit.
Megjithëse i kufizuar në hapësira muzeu është një qendër komplekse që përkujton jetën e një prej simboleve të disidencës shqiptare nën diktaturë. Bibika Kokalari familjare e Musinesë dorëzoi pranë këtij muzeu një koleksion unik sendesh personale dhe dorëshkrimesh të ruajtura nën diktaturë në shtëpinë e saj.
“Ato sende personale janë marrë në korrik të ’83. Ne vajtëm në korrik që i morrëm këto se asaj i ngeli mendja, në çdo letër që dërgonte thoshte: “ejani të merrni ato që ju kam thënë”. Ajo e shkreta i kishte mbledhur, lidhur e bërë gati. Kur mi ka dhënë është ulur në atë minderin e saj prej dërrase dhe lëshoi një psherëtimë. Mua mu duk se ishte shumë e sëmurë. Tani u lehtësova tha se i lashë në duar të sigurta.”, tha Bibika Kokalari, familjare e Musinesë
Shtëpia ku Musineja lindi dhe u rrit në Gjirokastër u dogj gati një dekadë më parë dhe ende gjendet e rrënuar por të afërm të saj ofrua një shtëpi tjetër për qenë një strehë memorje e së parës grua që u njoh ndërkombëtarisht si shkrimtare, poete dhe politikane.
Muzeu Kokalari u restauruar dhe u përshtat si i tillë nga Fondacioni Trashëgimi Botërore pa Kufinj. Muzeu strehon shumë objekte origjinale të autores, veshje, kujtime, dorëshkrime, botime, fotografi dhe shënime. Koleksioni i fundit do ta pasurojë këtë memorje me dokumenta të panjohura më parë, sende personale, dorëshkrime e letërkëmbime të saj me personalitete të kohës megjithatë familjarët e saj ende mendojnë se vlerësimi dhe vendi në memorjen historike për këtë figurë është i paplotë.
“Për fat të keq muzeu etnografik në Gjirokastër është në shtëpinë e Enver Hoxhës gjë që për mendimin tim është gabimi më i madh. Më thanë një herë që ti çoni atje por tek muzeu etnografik unë nuk i çoj. Më mirë i mbaja në shtëpinë time ashtu siç i kam mbajtur, kisha 39 vjet por në atë muze nuk i çoja sepse ai ishte xhelati i Musinesë e të çosh ato që ajo i ka ruajtur me fanatizëm nuk shkon.”, u shpreh më tej Bibika Kokalari familjare e Musinesë
Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare, themeluese e partisë Social-Demokrate, lindi në Gjirokastër më 10 shkurt 1917 dhe vdiq në vetmi mes dhimbjeve të shkaktuara nga një tumor në Rrëshen në gusht të vitit 1983. Ajo vuajti më shumë se 37 vite burgimesh e internimesh.
Top Channel