Astrit Hado, kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore u shpreh mbrëmjen e sotme në Top Story se 4.1% nuk është rritje e pensioneve, por indeksim që përmes tij duan të ruajnë fuqinë blerëse të pensionit.
Ai tha se ISSH dhe qeveria asnjëherë nuk kanë deklaruar që është rritje.
“Indeksi që ne përdorim për të indeksuar pensionet është indeksi i çmimeve të konsumit. Ne kemi përcaktuar artikujt dhe shërbimet që përgjithësisht konsumojnë pensionistët.
Sot në botë ka disa mënyra indeksimi pensionesh që përfshin rritjen ekonomike në vend, inflacionin dhe indeksimin e pagave. Ne kemi zgjedhur këtë mënyrë, indeksin e ndryshimeve të çmimeve”, tha ai.
Më tej Hado sqaroi se “shqetësimi publik dhe i yni, është që ne kemi kaluar nga risku i qëndrueshmërisë financiare i skemës, dhe tashmë kemi kaluar në krahun që duhet të shikojmë te mjaftueshmëria e pensioneve”.
I pyetur se kur ka qenë hera e fundit që janë rritur pensionet, ai tha se ka 15 vite, por se në këto vite ka pasur bonuse sociale.
“Të paktën në 15 vitet e fundit nuk ka pasur asnjë rritje pensionesh, vetëm indeksim, sepse dhe filozofia e pensionit kjo është, caktohet njëherë dhe pastaj mirëmbahet fuqia blerëse e parasë”, tha ai.
Top Channel