56 vjeçari Roland Drexler po kërkohej në një operacion masiv të policisë që prej të hënës kur vrau kryebashkiakun e qytezës dhe një ish-polic në veri të Austrisë.
Sot autoritetet austriake thanë se operacioni i kërkimit të Rohrbach ka përfunduar pasi “i akuzuari është gjetur i vdekur”.
Sipas rrjetit vendas Heute, i dyshuari për vrasjen e dyfishtë, ishte gjetur i vdekur në pyll pranë një liqeni.
Policia tha se po heton nëse ai ka vrarë veten.
Fillimisht zyrtarët thanë se ngjarja kishte të bënte me konflikte gjuetie në zonë, teksa Drexler ishte vetë gjuetar grackash, i akuzuar nga viktimat për teknika të paligjshme gjahu.
Pas ngjarjes Drexler ishte larguar drejt veriut të Austrisë, ndërsa policia tha se ai kishte ndërmend të vriste dhe rreth 40 persona të tjerë.
Kryebashkiaku 64 vjeçar Franz Hofer u vra më 28 tetor teksa dilte nga shtëpia e tij në Fraunschlag, i qëlluar me një goditje pushke ‘shotgun’ nga Drexler. Ai fillimisht ishte plagosur dhe kishte tentuar të largohej në një fushë, por sulmuesi kishte marrë pushkën e gjuetisë nga makina dhe e kishte qëlluar për vdekje teksa vraponte.
Hofer ishte kryebashkiak që prej vitit 2008 dhe drejtonte rregullat e gjuetisë lokale.
Më pas Drexler kishte shkuar në shtëpinë e ish-policit Joseph Hartl, gjithashtu gjuetar, dhe e kishte ekzekutuar me një plumb të vetëm.
Hartl ishte drejtues i operacioneve lokale të gjuetisë.
Të dy viktimat e kishin raportuar më parë Drexler për shkelje të ligjeve të gjuetisë me ngritje grackash ilegale për kafshët e egra.
Policia tha se edhe të tjerët në listë kishin pasur konflikte të ngjashme me të dyshuarin.
Drexler kishte me vete dy pushkë gjuetie dhe një pistoletë dhe lëvizte me një automjet VW Caddy.
Automjeti i tij ishte gjetur një ditë më parë i braktisur në një zonë pyjore pranë Partenreit thanë autoritetet, sipas The Sun.
Top Channel