Meta reagon sërish nga burgu: Beteja e opozitës kundër kapjes së shtetit do të zhbllokojë edhe procesin e integrimit europian

01/11/2024 19:10

Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar sërish nga burgu “313” në Tiranë.

Ndërsa e quan ekzaltim fals komentin e kryeministrit Edi Rama për hapjen e grupkapitujve, ai thekson se beteja e Partisë së Lirisë dhe opozitës të vërtetë kundër kapjes së shtetit dhe rikthimit të llogaridhënies do të zhbllokojë edhe procesin e integrimit europian.

Postimi i plotë:

Ekzaltimi fals i Kryeministrit Rama për grupkapitujt, pasi e bllokoi integrimin europian të vendit për një dekadë është tregues i hipokrizisë dhe papërgjegjshmërisë të tij dhe bandës së “Rilindjes” për këtë proces që duhej të ishte përmbyllur prej kohësh.

Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit më 2006, para Malit të Zi, Serbisë dhe vendeve të tjera, që e nënshkruan atë vite më pas.

Ndërkohë ato i çelën negociatat më 2012 dhe 2014 dhe janë në një stad shumë më të avancuar edhe pse kishin problem me Gjykatat Ndërkombëtare dhe konflikte ndëretnike.

Ndërsa Shqipëria ka patur e ka vetëm një problem, kapjen e shtetit nga mafia dhe sidomos kapjen e drejtësisë, e cila nga një reformë me 140 vota, përfundoi me 69 vota dhe betime gjyqtarësh te noteri te Lana.

Ndaj indekset e drejtësisë janë më zi se Vietnami komunist apo Bjellorusia e Lukashenkos.

Ky zhvillim edhe pse shumë i vonuar është vetëm për arsye gjeopolitike dhe se s’mund të vazhdojë më shumë.

Ndërsa premtimi solemn se brenda tre vitesh do mbyllen negociatat është fiks si premtimi i mbajtur para ardhjes në pushtet të “Rilindjes” për “shëndetësinë falas” apo premtimi se brenda një mandati do zgjidhej problemi i ujit të pijshëm në të gjithë vendin.

Beteja e Partisë së Lirisë dhe opozitës të vërtetë kundër kapjes së shtetit dhe rikthimit të llogaridhënies do të zhbllokojë edhe procesin e integrimit europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA