Debati për pagat në Kosovë, opozita e konsideron të paligjshme rritjen e pagave/ Ekspertët sqarojnë ngërçin

01/11/2024 19:52

Gjatë javës, Qeveria e Kosovës njoftoi se me projektligjin për Buxhetin e vitit 2025, pagat në sektorin publik do të shënojnë rritje që nga janari.

Sipas projektbuxhetit, rritja do të bëhet me ndryshimin e njësive të koeficientit që përcakton pagën në sektorin publik.

Ligjshmëria e këtij plani të qeverisë është vënë në dyshim, pasi me projektbuxhet mund të bëhet vetëm ndryshimi i vlerës së koeficientit.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati thotë se në Projektligjin për Buxhetin e vitit 2025, që u miratua të mërkurën në qeveri, synojnë edhe plotësim ndryshimin e Ligjit të Pagave, që të mundësohet rritja.

“Është nen specifik në projektligjin e Buxhetit që specifikon që nga janari hyn në fuqi rritja e gjysmë njësi e koeficienti për të gjitha klasat e pozitave në të gjitha tabelat dhe shtojcat e ligjit të pagave kurse nga korriku shtohet edhe gjysmë koeficienti tjetër”, thotë Murati.

Opozita thotë se rritja e pagave në këtë kohë është vetëm fushatë e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe mënyrën e rritjes e shohin joligjore.

Ferat Shala, deputet i PDK: “Këtu kemi dilemën e parë juridike sepse kemi shkelje të ligjit në planifikimin e qeverisë dhe në vendimin, pastaj nuk e kemi këtë arsyen se pse duhet të ndahet rritja e pagave në dy kategori në një para zgjedhjeve, gjatë fushatës elektorale dhe pas rezultatit të zgjedhjeve”.

Besian Mustafa, deputet i LDK: “Një tentim i dobët për të blerë vota dhe qytetarët e Kosovës nuk pranojnë një tentim të tillë e ndanë edhe këtë kinse rritjen e tyre në dy pjesë, 55 euro, nëntë ditë para zgjedhjeve parlamentare për të tentuar kinse për të blerë vota dhe në fund të muajit korrik, dy muaj para zgjedhjeve lokale për t’i kushtëzuar qytetarët”.

Neni 42 i Ligjit për Pagën në sektorin publik ndalon “çdo ndryshim në strukturën, komponentët apo nivelet e koeficienteve të pagave”.

Kjo metodë e rritjes së pagave në sektorin publik jep precedent për abuzime në këtë aspekt.

Naim Jakaj, hulumtues i IKD: “Ky veprim për ne krijon një precedent të rrezikshëm për devijimin nga rregullat e përcaktuara dhe hapë derën për abuzime të mundshme që e dobësojnë themelin e ligjit dhe sistemin e pagave në sektorin publik”.

Punëtorët e sektorit publik nga rritja e parë prej gjysmë njësie të koeficientit do të përfitojnë 55 euro rritje në pagë, e nga rritja tjetër e njëjtë do të përfitojnë në korrik të vitit 2025.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA