Kryeministri i vendit Edi Rama ka dalë sot në një konferencë të përbashkët me ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, ku në fokus të saj është Raporti i Progresit 2024 për Shqipërinë, publikuar nga Komisioni Europian.
“Unë e kam thënë më shumë sesa në një rast edhe sot është rasti për ta përsëritur që raporti i progresit në këndvështrimin tim është dokumenti më i plotë, më i detajuar, më i besueshëm dhe më ndërkombëtar që Shqipëria merr dhe mbi të cilin ne referohemi fjali për fjali në kuptimin e plotë të fjalës. Sepse është i vetmi raport ndërkombëtar që bazohet vetëm në fakte, jo në perceptime, jo në sondazhe dhe që i referohet fakteve nën dritën e parimeve dhe standardeve të funksionimit të institucioneve europiane dhe shteteve anëtare dhe me vjen shumë mire që ne sot marrim një raport shumë pozitiv, raporti më pozitiv i të gjithë këtyre viteve dhe normalisht i tillë sepse e tillë është edhe ecuria e vendit dhe Konferenca e dytë Ndërqeveritare afirmoi faktikisht njohjen nga të gjithë institucionet dhe vendet e Bashkimit Europian të përparimit të bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kushteve për këtë fazë të negociatave për anëtarësim.
Raporti është real dhe i balancuar dhe siç njeh të gjitha përpjekjet e progresin e bërë, shënjon me përpikmëri dhe piketat për hapat që duhen bërë më tej, si dhe çështjet ku duhet të përqendrohemi për t’i përmbushur plotësisht kushtet e anëtarësimin dhe në paraqitjen e përmbledhur të ambasadorit ishte shumë e qartë se cilat janë adresimet që duhen bërë në këtë fazë të re të procesit.
Patjetër që ky proces është një proces që vazhdon, por cilido që dëshiron vërtet të kuptojë dhe të mësojë se ku ndodhet sot Shqipëria në të gjitha fushat bën mirë ta lexojë këtë raport. Bën mirë ta lexojë këtë raport sepse askund tjetër nuk do të gjejë një analizë më të përpiktë dhe një panoramë më të vërtetë të situatës aktuale të vendit. Më lejoni që të ndaj vetëm disa nga momentet më kryesore të raportit”, tha Rama.
Më tej ai u ndal në disa prej pikave të raportit teksa shtoi se “ne jemi nxënës ambiciozë në këtë proces, jemi të vetëdijshëm që për të marrë notën maksimale, vula e anëtarësimit në BE, kemi shumë akoma dhe të meta për të adresuar dhe jemi të bindur që kemi kapacitete për t’i adresuar, falë dhe bashkëpunimit të ngushtë me Komisionin Europian.
“Së pari drejtësia. Përtej të gjitha polemikave të brendshme, raporti bën një vlerësim të lartë të zbatimit të reformës në drejtësi dhe thekson se kjo reformë ka çuar në përmirësime të ndjeshme në funksionimin e drejtësisë në vend. Patjetër, që siç theksoi dhe ambasadori ka pika të caktuara që duhen adresuar dhe ka ende boshllëqe që duhen mbushur. Me shumë të drejtë në këndvështrimin tim Komisioni Europian përmes këtij raporti vlerëson punën e SPAK-ut e dëgjuat edhe nga ambasadori në përmbledhjen e tij, vazhdimësinë e rezultateve, avancimin më tej në ndjekjen përmes hetimeve të thelluara të rasteve komplekse të korrupsionit përfshirë edhe ato në lidhje me profile të larta politike dhe zyrtare.
Së dyti, ekonomia dhe rritja e mirëqenies. Raporti e rikonfimon në vlerësimin e vet edhe këtë vit, vazhdimin e rritjes ekonomike të vendit dhe përgatitjen e mëtejshme të Shqipërisë për një ekonomi tregu funksionale, në bazë të parimeve dhe kushteve që garanton Bashkimi Europian në çdo vend anëtar të tij. Rritja ekonomike ka qenë një rritje e fortë thotë raporti, siç është e vërteta dhe po ashtu mbështetja e kësaj rritje dhe rritja e turizmit dhe në investimet në rritje është një fakt. Nga ana tjetër, raporti vlerëson performancën e përmirësuar dukshëm fiskale të vendit, rënien e deficitit dhe uljen e mëtejshme të borxhit publik dhe nënvizon që sektori financiar i vendit është i qëndrueshëm.
Së treti, ka një pikë që unë e vlerësova ta ndaj veç në këtë paraqitje shumë të përmbledhur, është progresi i mirë dhe afrimi më shumë drejt kritereve për anëtarësim në Bashkimin Europian në fushën e energjisë që është një fushë kritike dhe me një karakter strategjik, gjithmonë e më të theksuar edhe për vetë kushtet e sotme globale dhe të Europës, për afrimin me tregun e energjisë dhe standardet e Bashkimit Europian dhe në fushën e certifikimit të operatorëve përkatës. Vazhdimi i punës dhe rritja e investimeve në energji, por edhe mbështetja ndaj qytetarëve dhe biznesit, si dhe ambicia për tu bërë një vend eksportues neto i energjisë brenda kësaj dekade dhe pjesë e tregut europian të energjisë janë element shumë të rëndësishëm që pasqyrojnë ekzaktësisht transformimin epokal që ne kemi bërë dhe po vazhdojmë të bëjmë në sektorin e energjisë.
Së katërti, digjitalizimi. Shqipëria është një lider në rajon në digjitalizim dhe gjithë procesi i transformimit të shërbimeve publike, është një proces që na ka vendosur në një bazë shumë të mirë për të bërë edhe zhvillime të mëtejshme.
Dhe së fundmi, por jo nga rëndësia, e theksoi dhe ambasadori, politika e jashtme dhe e sigurisë e Shqipërisë që vlerësohet me notat më maksimale. Nuk dua të zgjatem më tutje dhe e përsëris, kush flet për Bashkimin Evropian, kush flet për integrimin evropian, kush del nëpër ekrane apo merr penën përmes tastierës së kompjuterit për të shkruar për këtë proces, bën mirë ta lexojë këtë raport sepse është një bazë e pazëvendësueshme të dhënash për të folur gjëra që bëjnë sens, kur flasim për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Raporti është publik, kushdo mund ta lexojë, mund ta vlerësojë, munda ta inspektojë, mund ta përdorë dhe siç e thashë në fillim, dua ta përsëris, është pasqyra më e detajuar, më e imët, më besnike e realitetit ë zhvillimeve në vend të 12 muajve të fundit.
Të gjithë të tjerët shkruajnë, japin opinione, mbledhin perceptime, bëjnë konkluzione, por janë shumë, shumë larg profesionalizmit dhe objektivitetit të Komisionit Evropian dhe për këtë arsye, Evropa, BE, Komisioni Evropian janë bekimi më i madh për një vend si Shqipëria që përndryshe do ta kishte të pamundur të bënte shtetin që po bën dhe të bëhej pjesë e një familjeje me vlera, me standarde dhe me kritere funksionimi që nuk i gjen askund tjetër në botë.
Faleminderit për Raportin, faleminderit për vlerësimin, faleminderit për kritikat, faleminderit për detyrat. Ne jemi nxënës ambiciozë në këtë proces. Më vjen shumë mirë që nga viti në vit marrim nota të mira, por jemi shumë të vetëdijshëm që për të marrë notën maksimale që është vula e anëtarësimit në Bashkimit Evropian kemi shume akoma për të bërë dhe kemi të meta dhe boshllëqe për të adresuar dhe jemi të bindur qe kemi të gjitha kapacitetet për të adresuar dhe falë edhe partneritetit gjithnjë e më të ngushtë që kemi me delegacionin e Komisionit Evropian këtu dhe me vetë Komisionin Evropian në Bruksel”, tha Rama.
Top Channel