Fatmirësisht nuk ka pasur viktima sot në aksidentin e frikshëm në kryeqytetin e Norvegjisë, kur një tramvaj i transportit publik ka dalë papritur nga shinat dhe ka shkatërruar vetratën e një dyqani në qendrën e mbushur me njerëz.
Katër njerëz u plagosën kur tramvaji u përplas me një dyqan Apple në Oslo.
Vagoni i parë i mjetit shihet që ka hyrë brenda ndërtesës katër-katëshe pranë një restoranti ngjitur me të.
Tramvaji që vinte nga zona Jernbanetorget doli nga shinat në kryqëzimin Storgata dhe u përplas në sheshin kryesor.
Pamjet nga vendngjarja tregonin një pjesë të tavanit të shembur, ndërsa raftet me pajisje kompjuterike shihet të shpërndara përtokë.
Dyert dhe shumica e vetratës së kompanisë Eplehuset, e cila ri-shet aparate Apple në Norvegji, janë të shkatërruara.
Vendasi Thomas Larsen tha se po ecte në rrugë me motorin e tij kur tramvai doli nga shinat.
“Unë frenova në kohë, përndryshe tre sekonda më vonë do të kisha qenë poshtë tramvajit. Nuk e di si mund të ndodhë kjo në mes të qytetit”, tha 41 vjeçari.
André Nerheim tha se pasagjerët në tramvaj kërkonin ndihmë për të dalë, pas përplasjes.
“Tramvaji kaloi pranë meje dhe duhet të kthehej majtas, por shkoi drejtpërdrejt në dyqanin Apple House. Përplasja hapi një vrimë të madhe në mur dhe pasagjerët kishin nevojë për ndihmë për të dalë”, tha ai.
Zjarrfikësit thanë se katër pasagjerë duhet të trajtoheshin për plagë të vogla.
Rreth 20 njerëz ishin në bordin e mjetit në kohën e përplasjes, tha policia vendase, shkruan rrjeti Metro.
Top Channel