Rusia sulmon me raketa Ukrainën qendrore/ 5 viktima dhe 19 të plagosur, shkatërrohen ndërtesat

26/10/2024 21:32

Zyrtarët ukrainas njoftuan të shtunën se raketat ruse vranë tre persona, ndër ta një fëmijë, në qytetin ukrainas Dnipro, ndërsa një adoleshente dhe një tjetër person u vranë në Kiev dhe në zonën përreth.

Sulmet gjatë natës në Dnipro plagosën 19 persona të tjerë dhe dëmtuan ndërtesa të shumta, tha Sergiy Lysak, guvernator i rajonit qendror Dnipropetrovsk.

Një godinë apartamentesh me dy kate u shkatërrua, tha ai.

Në pamjet e shpërndara nga zoti Lysak shfaqen punonjësit e ekipeve të emergjencave ndërsa punojnë mbi pirgjet me rrënoja. Një tjetër pamje duket se është e një dhome spitali me dritaret të shkatërruara nga shpërthimi.

Një godinë e dëmtuar në Kiev nga sulmi me dron (26 tetor 2024)
Një godinë e dëmtuar në Kiev nga sulmi me dron (26 tetor 2024)

“Tre persona u vranë në Dnipro, përfshirë një fëmijë. Nëntëmbëdhjetë u plagosën, katër prej tyre fëmijë. Tetë janë të shtruar në spital”, tha zoti Lysak.

Sulme të tjera në kryeqytetin Kiev dhe në zonën përreth shkaktuan dy viktima, ndër ta një vajzë adoleshente që u vra nga sulmi i një droni, njoftuan autoritetet rajonale.

Qytetet ukrainase, ndër to edhe Kievi, kanë përjetuar sulme vdekjeprurëse me dronë dhe raketa që nga fillimi i sulmit të Rusisë.

Kievi ka kërkuar nga vendet aleate furnizimin me sisteme të reja të mbrojtjes ajrore, ndërsa afron dimri që pritet të jetë i ashpër dhe Moska ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës energjitike./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA