Një grup monitorues i luftës në Siri tha më 25 tetor se sulmet me dronë të Turqisë kanë vrarë 27 civilë në Siri në 24 orët e fundit.
Turqia ka nisur sulmet në Siri dhe Irak kundër militantëve kurdë, pas një sulmi vdekjeprurës në një kompani të mbrojtjes në Ankara më herët gjatë javës.
Forcat turke “në mënyrë dramatike kanë përshkallëzuar sulmet e tyre ajrore dhe tokësore në veri dhe lindje të Sirisë”, që nga dita e enjte, tha Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut.
Grupi monitorues shtoi se ka dokumentuar 45 sulme me dronë dhe katër nga avionët luftarakë që kanë goditur infrastrukturë, përfshirë edhe stacione të ujit, energjisë dhe gazit.
Turqia nisi sulmet ajrore të mërkurën ndaj militantëve kurdë në Irak dhe Siri, duke i fajësuar ata për sulmin në Ankara që ka të vrarë pesë persona.
Edhe 22 persona u plagosën gjatë këtij sulmi, që Qeveria turke tha se ka “shumë të ngjarë” të jetë kryer nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, organizatë e ndaluar në Turqi.
Disa orë pas sulmit pranë kryeqytetit turk, “një operacion ajror u krye ndaj caqeve terroriste në veri të Irakut dhe Siri”, tha Ministria turke e Mbrojtjes.
“Në total, 32 caqe që i përkisnin terroristëve janë shkatërruar me sukses”.
Forcat Demokratike Siriane, të udhëhequra nga kurdët, thanë përmes një deklarate më 24 tetor se sulmet ajrore turke kanë vrarë 12 civilë në verilindje të Sirisë dhe plagosën 25 të tjerë.
“Përveç në zonat e banuara, avionët luftarakë të Turqisë dhe dronët kanë shënjestruar furrat e bukës, stacione të energjisë, ndërtesa të naftës dhe pika të kontrollit të Forcave të Brendshme [kurde] të Sigurisë”, thanë këto forca, duke thënë se po ashtu Turqia ka kryer granatime.
Forcat Demokratike Siriane mbështeten nga Shtetet e Bashkuara, udhëhoqën fushatën që dëboi xhiadistët e grupit militant, Shteti Islamik, nga pjesët e Sirisë më 2019.
Turqia i sheh Njësitë e Mbrojtjes së Popullit Kurd (YPG), që dominohen nga Forcat Demokratike Siriane, si degë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.
Partia e Punëtorëve të Kurdistanit që nga vitet ’80 lufton për autonomi në juglindje të Turqisë, në konfliktin që ka vrarë dhjetëra mijëra persona. PPK-ja konsiderohet grup terrorist nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë. /rel
Top Channel