Ushtria izraelite ka konfirmuar vrasjen e Hashem Safieddine, i cili konsiderohej kandidati më i mundshëm për të zëvendësuar Hassan Nasrallah si udhëheqësi më i lartë i organizatës militante islamike myslimane shiite pas vrasjes së Nasrallah muajin e kaluar.
Në një deklaratë të postuar në Twitter/X, sipas The Guardian, ushtria izraelite tha se Safieddine u vra në një sulm në Bejrut rreth tre javë më parë, së bashku me komandantët e tjerë të Hezbollahut.
Ndërkohë pak ditë më parë ministri i Jashtëm i Izraelit konfirmoi se trupat izraelite vranë në Gazë udhëheqësin më të lartë të Hamasit, Yahya Sinwar, një prej organizatorëve kryesorë të sulmit të vitit të kaluar ndaj Izraelit, ku u vranë mbi 1000 njerëz dhe u morën peng rreth 300 të tjerë.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite konfirmoi në fund të shtatorit se Hassan Nasrallah, sekretari i përgjithshëm i grupit libanez Hezbollah, u vra në një sulm të madh ajror në periferinë jugore të Bejrutit.
Menjëherë pas sulmeve, zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha se sulmi kishte në shënjestër shtabin kryesor të Hezbollahut, për të cilin ai pretendonte se ishte ndërtuar nën ndërtesa civile.
Shefi i Hezbollahut ishte renditur si një terrorist ndërkombëtar që nga viti 1995 nga Departamenti i Shtetit i SHBA, i cili ofroi një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacionin që çonte në kapjen ose vendndodhjen e tij.
Top Channel