Epidemia e re e lisë së dhenve po merr përmasa të pakontrollueshme në Greqi.
Brenda dy muajsh, rastet e konfirmuara kanë nisur nga zona e lumit Evros në kufijtë lindorë të vendit e deri në Korinth.
Autoritetet vendore me shqetësim të madh kanë urdhëruar që thertoret në të gjithë vendin të mbyllen për të paktën 10 deri në 15 ditë, veprim që do të ketë pasoja të pakëndshme për fermerët, por edhe për xhepin e konsumatorëve.
Krahasuar me murtajën e deleve, lija është shumë më ngjitëse. Ajo është një sëmundje që zgjat gjashtë muaj dhe transmetohet menjëherë tek bagëtitë e imta. Kur virusi arrin në një tufë, 80% e kafshëve sëmuren dhe ngordhin.
Raste të lisë së deleve janë evidentuar në zonat e Greqisë Perëndimore, Maqedonisë Qendrore dhe Thrakës, ndërsa sot një rast është konfirmuar edhe në Magnezi.
Blegtorët theksojnë se nuk i është kushtuar rëndësi faktit që ajo përhapet shumë shpejt dhe propozojnë që të bëhet vaksinimi i lisë rreth këtyre zonave, në mënyrë që të ndalohet transmetimi i sëmundjes.
Gjithashtu thonë se shkak për shpërndarjen e saj është transporti ilegal i bagëtive të imta nga zonat e prekura.
Ministria e Zhvillimit Rural ka thirrur një mbledhje urgjente me gjithë autoritetet kompetente për të përballuar situatën.
Sipas inspektorit të përgjithshëm të ETHEAS (Bashkimit Kombëtar i Partneriteteve Agrokulturale ) Moschos Korassidis, blegtoria është në rrugë pa krye, pasi është kriza e tretë radhazi që po përballet brenda një viti, ndërkohë që ka edhe raportime të rasteve të etheve katarale.
Top Channel