Antony Blinken mbërriti në Izrael për të 11-tën vizitë në Lindjen e Mesme që prej shpërthimit të konfliktit mes shtetit hebre e Hamasit.
Shefi i diplomacisë amerikane duket se do të tentojë t’i japë një tjetër shtysë përpjekjeve për armëpushim pas vrasjes së liderit të grupit militant palestinez, Yahya Sinwar, i konsideruar dhe si “truri” i sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar që nxiti spiralen e dhunës.
Vetëm disa orë përpara mbërritjes së sekretarit amerikan të shtetit në Izrael, Hezbollahu lëshoi drejt shtetit hebre një breshëri raketash, si për të kujtuar se paqja nuk është më aq e lehtë të arrihet.
SHBA-ja, Egjipti dhe Katari për muaj të tërë kanë ndërmjetësuar bisedimet mes Izraelit dhe Hamasit, duke tentuar të arrihet një marrëveshje në mënyrë që Hamasi të lirojë pengjet në këmbim të përfundimit të luftës dhe të arrihet një armëpushim i qëndrueshëm në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë.
Të dyja palët sakaq akuzuan njëri-tjetrin për vendosje të kushteve të papranueshme gjatë verës dhe bisedimet u ndërprenë në muajin gusht. Washingtoni nuk u dorezua por i vazhdoi përpjekjet një marrëveshje pushimzjarri, vetëm që t`i shihte ato të shembeshin muajin e kaluar kur tensionet u rritën sërish dhe Izraeli kreu një sërë sulmesh, duke vrarë edhe liderin e grupit, Hassan Nasrallahun, dhe komandantë të tjerë të lartë.
Aktualisht, ushtria izraelite është duke kryer një operacion madhor në veri të Gazës, e po kështu po vazhdon sulmet e rrufeshme në disa pjesë të Libanit, duke e mbajtur Hezbollahun vazhdimisht në shënjestër.
Top Channel