Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim feston 15-vjetorin e kontributit të dhënë në Shqipëri si dhe vizionin për të ardhmen, në një event në Pallatin e Brigadave, me prezencën e personaliteteve, si Presidenti Bajram Begaj, përfaqësues të bordit si dhe bashkëdrejtorët Ekzekutivë Aleksandër Sarapuli e Martin Mata.
Në këtë event u reflektua mbi 15 vitet e përkushtimit e angazhimeve të AADF-së për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social, krijimin e fuqizimin e sipërmarrje të reja, ruajtjen e trashëgimisë kulturore të vendit, promovimin e ekoturizmin si dhe për t’u dhënë mundësi të rinjve në aftësimin e tyre digjital dhe lidership.
“AADF-ja është një nismë amerikane. Jemi të nderuar që jemi pjesë e partneritetit mes dy vendeve. Kjo marrëdhënie e veçantë shqiptaro-amerikane është forcuar me kalimin e kohës. Me përjekjet tona janë tërhequr më shumë se 150 mln dollarë në kontribute partnerësh, për realizimin e projekteve tona, në fusha me rëndësi strategjike, si sipërmarrja, arsimi, trashëgimia kulturore dhe eko-turizmi”- u shpreh Michael D.Granoff, kryetar bordi i AADF.
Përfaqësuesja e Ambasadës Amerikane në Tiranë, zonja Nancy VanHorn, vlerësoi kontributin e Fondacionit për rezultate të frytshme, të cilat do të ndikojnë edhe në të ardhmen.
“Shqiptarët kanë një fjalë të urtë, të cilën e kam mësuar kur erdha këtu. “Gur, gur bëhet mur. Mur, mur bëhët kalaja” dhe për 15 vjet, AADF ka ndryshuar perspektivën e Shqipërisë, duke kontribuar për një të ardhme më të mirë”.
Një moment i rëndësishëm ishte edhe letra që Sekretari i Shtetit, zoti Antony Blinken i kishte dërguar Granoff, për t’i uruar 15-vjetorin e AADF-së, ku ndwr tw tjera shkruhej se “Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit luan një rol jetik në formësimin e gjeneratë së ardhshme të liderëve shqiptarë, që janë të përkushtuar për ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë, më të begatë dhe të sigurt për Shqipërinë.”
Projektet në arsim dhe lidership, TUMO Tirana, rijetëzimi i Piramidës, rijetëzimi i 8 qendrave të qyteteve në Shqipëri si Pazarit të Ri i Tiranës, janë vetëm disa prej 80 projektet që AADF ka financuar, e që kanë prodhuar histori suksesi në vendin tonë.
Top Channel