Punonjësit e ndihmës së Kombeve të Bashkuara në Gazën veriore “nuk mund të gjejnë ushqim, ujë apo kujdes mjekësor”, pas gati tre javësh bombardime “pa ndalim” izraelite, tha një zyrtar i lartë i OKB-së të martën.
Philippe Lazzarini, kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, përshkroi kushtet e tmerrshme në të cilat po punon stafi i UNRWA në veri të enklavës, ku qindra mijëra njerëz përballen me një situatë të tmerrshme humanitare mes ofensivës së përtërirë ushtarake të Izraelit.
“Era e vdekjes është kudo, ndërsa trupat mbeten të shtrirë në rrugë ose nën rrënoja. Misionet për të pastruar trupat ose për të ofruar ndihmë humanitare janë mohuar. Në Gazën veriore, njerëzit thjesht presin të vdesin. Ata ndihen të shkretë, të pashpresë dhe të vetmuar. Ata jetojnë nga një orë në tjetrën, duke u frikësuar nga vdekja në çdo sekondë.”, tha Lazzarini në një deklaratë.
CNN raporton se palestinezët që po largohen nga vendet e operacionit ushtarak të Izraelit në Gazën veriore janë qëlluar teksa ata evakuohen.
Lazzarini përsëriti thirrjet për një armëpushim, “qoftë për disa orë, për të mundësuar kalimin e sigurt humanitar për familjet që dëshirojnë të largohen nga zona dhe të arrijnë në vende më të sigurta”.
Top Channel