Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen ndër të tjera nga SPAK për fshehje të pasurisë.
Në dosjen e SPAK, të siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, thuhet se nga hetimi ka rezultuar se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk kanë deklaruar gjendje të parave cash në vitin 2007, në vitin 2008 dhe në vitin 2009 për këtë arsye u bë verifikimi i llogarive bankare të tyre dhe familjarëve të afërt.
Sipas SPAK, nga verifikimi i llogarisë bankare e Monika Kryemadhit rezulton se në datën 08 dhe 9 Maj 2008 ka tërhequr nga overdrafti i llogarisë 50.000 Euro. Në datën 28 Maj 2008 ka derdhur cash 10.000 Euro dhe 29 Korrik 2008 ka derdhur cash në llogari 41.000 Euro (nuk dihet origjina e këtyre parave pasi prezumohet se shuma e tërhequr nga overdrafti ka shërbyer për shpenzime pasi nuk rezulton që të jetë deklaruar si borxh ose hua, por duke qenë se vlera e overdraftit dhe depozitimet cash janë pak a shumë të përafërta, deri në këtë moment këto transaksione nuk e ndryshojnë situatën financiare të personave nën hetim).
Në datën 31 Tetor 2008, Monika Kryemadhi ka tërhequr nga llogaria overdraft në vlerën 20.000 Euro. Ky overdraft është shlyer nga derdhja cash në vlerën 21.000 Euro që Fatime Kryemadhi ka bërë në këtë llogari në datën 18 Shkurt 2009 (me këtë lëvizje, Monika Kryemadhi rezulton që krijon të ardhura në shumën 20.000 EURO, ndërkohë që Fatime Kryemadhi nuk jep shpjegime në lidhje me burimin e të ardhurave prej 20.000 Euro me të cilat ka shlyer overdraftin e Monika Kryemadhit).
Në 13 Mars 2009, Monika Kryemadhi ka marrë kredi në vlerën 40.000 Euro të cilën e ka tërhequr cash po atë ditë. Në datën 07 Prill 2009, Monika Kryemadhi ka tërhequr nga overdrafti 70.000 Euro cash, të cilin e ka likujduar në datën 22 Qershor 2009 duke marrë kredi në vlerën 115.000 Euro. Me diferencën e mbetur nga kredia 115.000 Euro, ka shlyer kredinë marrë në datën 13 Mars 2009. (me këtë lëvizja gjendja financiare e llogarive bankare të Monikës, mbetet e pandryshuar, ndërkohë që ajo tashmë ka si detyrime ndaj bankës, në total shumën e kredisë prej 115.000 Euro).
Në datën 23 Nëntor 2009, Fatime Kryemadhi ka derdhur cash në llogarinë e Monika Kryemadhit, shumën 70.000 Euro.
Në datën 26 Nëntor 2009, Monika Kryemadhi ka marrë kredi në vlerën 45.000 Euro e cila së bashku me shumën 70.000 Euro të derdhur nga Fatime Kryemadhi, ka shërbyer për likujdimin e kredisë me vlerë 115.000 Euro.
Në datën 11 Dhjetor 2009, Fatime Kryemadhi ka derdhur cash në llogarinë e Monika Kryemadhit, shumën 47.000 Euro me të cilën Monika ka shlyer kredinë e marrë në datën 26 Nëntor 2009 ne vlerën 45.000 Euro.
(Në këtë periudhë kohore, rezulton që Monika Kryemadhi nuk ka detyrime ndaj bankës, ndërkohë që llogaritë e saj janë kredituar nga Fatime Kryemadhi në total në shumën 138.000 Euro në shumat 21.000 Euro në datën 18 Shkurt 2009, 70.000 Euro në datën 23 Nëntor 2009, dhe 47.000 Euro në datën 11 Dhjetor 2009. Ndërkohë që në lidhje me këto shuma parash që derdh në llogaritë e Monika Kryemadhit, Fatimja nuk përshkuan burimin).
Rezulton që në këtë periudhë kohore, Fatime Kryemadhi ka financuar për periudhën 18 Shkurt 2009-11 Dhjetor 2009, vajzën e saj Monika Kryemadhi, me para cash në vlerën 138.000 Euro. Këto para nuk janë deklaruar si borxh apo hua nga shtetasja Monika Kryemadhi.
Nga verifikimi i gjendjes së llogarive bankare të Fatime Kryemadhit, rezulton se kjo shtetase ka tërhequr nga llogaria shumën 40.000 Euro në datën 29 Korrik 2009 dhe 10.000 Euro në datën 14 Tetor 2009, shuma të cilat mund të merren si gjendje deri në datën 23 Nëntor 2009. Burimi i krijimit të këtyre parave është kompania Agi Kons. Në fakt rezulton se Kompania AGI Kons ka kredituar në llogaritë e Fatime Kryemadhit shumën totale 100.000 Euro dhe më konkretisht 25 Korrik 2008 shuma prej 50.000 EURO si e ardhur nga kontrata premtim shitje, dhe në datën 13 Tetor 2009 shuma prej 50.000 Euro për anulimin e kontratës.
Nga sa mësipër arrijmë në përfundimin se shtetasja Fatime Kryemadhi, ka financuar llogarinë e Monika Kryemadhit me shumën 138.000 Euro nga të cilat për shumën 38.000 Euro nuk ka patur burim të ligjshëm të krijimit të tyre ndërsa diferenca ka patur burim kompaninë Agi Kons.
Në fakt në këtë periudhë kohore, Fatime Kryemadhi nuk ka burime të ligjshme, përveç shumës 38.000 (tridhjetë e tetëmijë) Euro dhe për pagesën e qirasë prej 3.000 (tre mijë) Euro në muaj për periudhën 01 Shkurt 2008-10 Mars 2010 (kur është nënshkruar kontrata e shitjes). Kontrata e qirasë ka zgjatur 25 Muaj, me një vlerë totale 75.000 Euro.
Pra, si konkluzion, në total Fatime Kryemadhi ka mungese burimesh të ligjshme për të financuar shpenzimet deri në muajin Mars 2010, kohë kur janë blerë apartamentet dhe janë marrë kreditë një shumë rreth 113.000 EURO.
Top Channel