Ahmet Masha është personi i dytë që ra në pranga së bashku me ish-deputetin Jurgis Çyrbja, pas urdhrit të Prokurorisë së Posaçme.

Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot masën e sigurimit arrest në burg ndaj ish-deputetit, të caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuat si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.

Mësohet se Jurgis Çyrbja është kapur në Shijak, ndërsa Masha në Rinas.

Veç dy të arrestuarve, mësohet se një tjetër është shpallur në kërkim.

“Nisur nga interesi i madh i mediave ju komunikojmë se Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot masën e sigurimit arrest ne burg të caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuat ndaj shtetasit Jurgis Cyrbja, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal. Nesër do të ketë një njoftim për shtyp me më shumë detaje”, theksohet në informacionin e SPAK.

Ish-deputeti dyshohet se ishte përdorues i aplikacionit SKY dhe se bashkëpunoi me personazhe të një grupi kriminal në Durrës.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha gjatë edicionit kryesor informativ tha se burime shumë të sigurta konfirmuan se “pas një hetimi të gjatë dhe nga përgjigjet e autoriteteve franceze u zbulua se gjatë kohës që ishte deputet, ai ishte përdorues i aplikacionit Sky dhe se ka të dhëna sekrete se ka bashkëpunuar me personazhe të një grupi kriminal në Durrës”.

Sipas burimeve, ai ra në pranga nga një dosje tjetër nën hetim, ndërsa Gjykata e Posaçme nxori urdhër arrestin pas masës arrest në burg në mungesë.

Pas akuzave për shpërdorim detyre dhe thirrjes në ambientet e SPAK, Çyrbja vendosi që ta linte mandatin e deputetit.

Çyrbja gjithashtu akuzohet se ka shpërdoruar detyrën me firmat që ka hedhur në 4 raste mbi pronësinë e gati 25 mijë metra katrorë tokë në zonën e Rrashbullit në Durrës.

Hetimet ndaj tij lidhen me postin e drejtorit të hipotekave në këtë qytet, një detyrë që e mbajti deri në 2017 kur edhe mori mandatin e parë në parlament.

I kallëzuar prej vitit 2021 nga deputeti Edi Paloka, ai këmbënguli se nuk ka shpërdoruar detyrën dhe se nuk kishte kompetenca të kontrollonte praktikat që i delegoheshin nga vartësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA