Detaje të reja kanë dalë në dritë për arrestimin e ish-deputetit Jurgis Çyrbja.
Ish-deputeti Jurgis Çyrbja fshehu Altin Hajrin kur ishte në kërkim për rrëmbimin e Jan Prengës.
Altin Hajri u shpall në kërkim nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, ndërsa ish-deputeti Jurgis Çyrbja u arrestua një ditë më parë së bashku me Ahmet Mashën.
Ai është emër i njohur për drejtësinë, pasi dyshohet se mori pjesë në rrëmbimin e Jan Prengës.
Mësohet se Altin Hajri është një nga dy vëllezërit pronarë të kompleksit “Golden”. Sipas informacioneve, vëllai i tij, Emilian Hajri është arrestuar.
Mbi ish-deputetin socialist rëndojnë tre vepra penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.
Ish-deputeti dyshohet se ishte përdorues i aplikacionit SKY dhe se bashkëpunoi me personazhe të grupit kriminal në Durrës.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha gjatë edicionit kryesor informativ tha se burime shumë të sigurta konfirmuan se “pas një hetimi të gjatë dhe nga përgjigjet e autoriteteve franceze u zbulua se gjatë kohës që ishte deputet, ai ishte përdorues i aplikacionit Sky dhe se ka të dhëna sekrete se ka bashkëpunuar me personazhe të një grupi kriminal në Durrës”.
Pas akuzave për shpërdorim detyre dhe thirrjes në ambientet e SPAK, Çyrbja vendosi që ta linte mandatin e deputetit.
Çyrbja gjithashtu akuzohet se ka shpërdoruar detyrën me firmat që ka hedhur në 4 raste mbi pronësinë e gati 25 mijë metra katrorë tokë në zonën e Rrashbullit në Durrës.
Hetimet ndaj tij lidhen me postin e drejtorit të hipotekave në këtë qytet, një detyrë që e mbajti deri në 2017 kur edhe mori mandatin e parë në parlament.
I kallëzuar prej vitit 2021 nga deputeti Edi Paloka, ai këmbënguli se nuk ka shpërdoruar detyrën dhe se nuk kishte kompetenca të kontrollonte praktikat që i delegoheshin nga vartësit.
Top Channel