U bë kohë tashmë që përflitet zhvillimi i etapave të para të Xhiros së Italisë që është turneu i dytë më i madh në botë i çiklizmit pas Turit të Francës të zhvillohet në Shqipëri.
Në një intervistë për Top Channel presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit Skënder Anxhaku tregon se sa e mundur duket një gjë e tillë kaq e madhe të startojë jashtë Italisë.
“Vjet ka filluar xhiro e Italisë nga Budapesti por ne nuk i dijmë detajet e tyre atje, di të them që kjo gjë ka kosto të mëdha. Bëhet fjalë për 2000 veta që do të vijnë këtu, me bazë materiale, me bllokimet e rrugëve, me policinë, me fjetjen, këto gjëra i mendojnë ata dhe çfarë paguan shteti shqiptar, federata në këtë drejtim nuk ka asnjë lloj buxheti për kontribuar”, tha Skënder Anxhaku, President i Federatës Shqiptare të Çiklizmit.
Po sa reale janë këto bisedime dhe deri ku ka avancuar bashkëpunimi?
“Përpara 3 muajsh ata kanë ardhur në Shqipëri dhe kanë përcaktuar 3 etapat, por përfundimisht kjo punë do të vendoset pas datës 12 nëntor”, tha Anxhaku.
Cilat janë këto etapa dhe çfarë qytetesh do të përshkojnë?
“Ata e kanë dëshirën ta fillojnë nga Durrësi dhe mbërritja të jetë në Tiranë. Të nesërmen do të jetë një etapë kronometri në Tiranë në periferi dhe në Unazën e Madhe të kalojë në “Sheshin Skënderbej” dhe mbërritja të bëhet tek Kryeministria”, tha Anxhaku.
Etapa e tretë që atyre u pëlqeu shumë kalon nga rruga e Lumit të Vlorës, Bypas i Vlorës, Maja e Llogarasë dhe në kthim drejtimi për në Vlorë.
Ashtu si kuptohet gjithçka është e tyre në aspektin e organizimit dhe pjesëmarrjes në aspektin sportiv dhe Shqipëria nuk mund të kualifikohet si pjesë sportive e këtij turi, po ndoshta si simbolikë a ka mundësi ekipi ynë kombëtarë të jetë pjesë e Xhiros së Italisë?
“Ekipi ynë kombëtarë sigurisht mund ti bëjë këto aktivitete dhe aq më tepër pasi njeh edhe terrenin këtu, do të ishte kënaqësi e madhe nëse Shqipëria merrte pjesë për këto tre etapa”, tha Skënder Anxhaku, President i Federatës Shqiptare të Çiklizmit.
Top Channel