Instalonte kamera të fshehta dhe me një biçikletë elektrike…, ‘skifteri’ kroat zbulon se si i grabiste bankomatet në Zagreb

19/10/2024 15:19

Policia kroate ka arrestuar një 48-vjeçar, i cili dyshohet se ka grabitur disa bankomate, duke vjedhur në total 500 mijë euro.

I dyshuari ishte në arrati që nga viti 2021 dhe për të ishte nisur një kërkim në nivel të Bashkimit Evropian.

Hetimi i cili zgjati disa muaj u krye në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Kriminale dhe Njësinë e Policisë Speciale dhe të Ndërhyrjes. Policia zbuloi katër vjedhje të rënda të bankomateve.

U konstatua se i dyshuari po instalonte kamera të fshehta për të marrë informacione për kohën e mbushjes së ATM-ve dhe kodet e hyrjes për hapjen e tyre, shkruan Jutarnjilist.

Pasi bankomatet mbusheshin me para, grabitësi shkonte me një biçikletë elektrike drejt ATM-ve, i zhbllokonte me një çelës të bërë posaçërisht dhe vidhte të gjitha paratë.

Pas grabitjes, ai e mbyllte siç duhet bankomatin, dhe më pas largohej drejt lagjes së Zagrebit, Tresnjevka, ku edhe fshihej vitet e fundit.

Gjatë hetimeve njëmujore, policia ka mbledhur prova që tregojnë se si ai kryente vjedhjet.

Ai u arrestua në zonën e Zagrebit dhe u konstatua se ishte në arrati pasi vuante dënimin me gjashtë vjet burg për grabitje të kryera më parë.

Pas përfundimit të hetimeve penale, i dyshuari është dorëzuar në burgun e Zagrebit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA