Mariela Berisha është shprehur e penduar në gjykatë për dhunën që ushtroi dy muaj më parë ndaj Klea Prengës.
Në dëshminë e saj, e reja tregoi se prej një viti ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike dhe kërkoi zbutjen e masës së sigurisë, duke përdorur si argument faktin se duhet të kujdeset për fëmijën e saj 2-vjeçar.
“Kërkoj falje për çfarë kam bërë. Nuk e kam dëshiruar, dhe nuk e kam kërkuar apo planifikuar një situatë të tillë dhe aq më pak një pasojë të tillë. Kam mbi një vit që po kaloj një moment dhe një situatë të vështirë psikologjike. Jam në një bashkëjetesë, dhe kam një fëmijë 2 vjeç, i cili ka nevojë për mua dhe për praninë dhe kujdesin tim. Kërkoj mëshirë”, tha blogerja.
Masë sigurimi më të butë kërkoi avokatja e Marielës, me arsyetimin se “është pa asnjë precedent penal, nuk ka asnjë arsye dhe asnjë shkak për të përsëritur veprime të njëjta apo të ngjashme, shprehet thellësisht e penduar, e pranon faktin penal, është e gatshme të normalizojë marrëdhëniet me viktimën, i kërkon publikisht falje asaj, si dhe gjykatës, njëkohësisht është e gatshme ta ndihmojë financiarisht për të përballuar shpenzimet e nevojshme për rehabilitimin e plotë dhe përfundimtar të dëmtimeve fizike që ka pësuar viktima. Së fundi, por tepër e rëndësishme, ajo është nën e një fëmije të mitur 2 vjeç”.
Në përfundim, gjykata vendosi arrest në shtëpi për të renë dhe detyrim paraqitje për motrën e saj, Antonela Berishën.
Antonela dhe Mariela Berisha, të cilat ishin shpallur në kërkim pasi dy muaj më parë dhunuan modelen Klea Prenga në një restorant në kryeqytet, duke e shpërfytyruar, u vetëdorëzuan në polici dy ditë më parë.
Klea Prenga kallëzoi motrat Berisha pas ngjarjes, teksa edhe nga pamjet e publikuara, e reja ka qenë duke konsumuar ushqim me disa shoqe ku shfaqen dy motrat të cilat e sulmuan.
Shkak i ngjarjes mësohet se kanë qenë dyshimet e Mariela Berishës se burri i saj e tradhtonte me 24-vjeçaren. Si shenjë hakmarrje dy motrat, kanë shkuar në restorantin në kryeqytet ku ndodhej Klea Prenga dhe e kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 6 gushtit.
Top Channel