Fiks Fare denoncoi gjendjen e një shtëpie të rindërtuar nga tërmeti, në fshatin Fagë në Njësinë Administrative Shëngjergj në Tiranë. Banesa filloi së ndërtuari në vitin 2020, por megjithëse kanë kaluar 4 vite, ende s’ka përfunduar. Pllakat e tualetit ishin të suvatuara sipër, dritarja më e vogël sesa vendi, dera më e madhe sesa vendi i lënë dhe nuk hapej.
“Shtëpia e vjetër m’u prish në viti 2019, do na strehonin te shkolla po nuk pranova. Qëndrova te banesa e vëllait. Erdhën dhe më thanë se do të ndërtojmë shtëpi të re. E filluan në 2020 dhe ende s’ka përfunduar. Punimet i kanë lënë në mes dhe nuk duket asnjë këmbë punëtori. Po bëjnë 1 vit që kanë ndërprerë këto punime. Nuk më kanë dhënë asnjë letër, nuk e di se cila firmë i bëri punimet” thotë i zoti i shtëpisë Mustafa Çedja.
Më tej thotë se familja e tij përfitonte banesë 1 + 1. “I kanë bërë muret, ccatinë po shtëpia është gjithë lagështirë, s’kanë bërë izolim të mirë. Dritarja e vendosur është më e vogël sesa vendi i dritares. Dera e emergjencës nuk hapet, e kanë bërë hapjen nga brenda, po dera është më ulët sesa dyshemeja e korridorit dhe s’hapet. Pllakat e tualetit janë vendosur, po sipër janë suvatuar. Dua që shtëpia të përfundoj, pasi më mirë te ajo e prishura sesa te kjo” thotë Mustafai.
Pas ankesës, gazetarët e Fiksit telefonojnë administratorin e Njësisë Administrative Shëngjergj, Shpëtim Sina. Ai thotë se e di këtë problematikë, pasi janë lënë disa punë pa bërë. Ka kontaktuar me familjen se i njeh shumë mirë, dhe e ka parë gjendjen. “Punët s’janë bërë mirë. Kam biseduar edhe me firmën që i ka bërë ato punime. Firma është ‘Tila Construction’, duhet të jetë nënkontraktor” thotë Administratori.
“Do e marr dhe tani këta të firmës që të bëjnë ato punimet e mbetura. I kemi thënë edhe familjet që ti përfundojë vetë ato punë, por s’kanë pranuar” shton ai, teksa gazetarët i bëjnë me dije se familja është me ndihmë ekonomike dhe s’mund t’i bëjnë vetë punimet.
Fiksi bisedon edhe me z. Lefter Tila, i cili ka bërë edhe punimet në atë banesë. Ai thotë se ai vetë është dora e tretë apo e katërt, “pasi janë firma të tjera që kanë fituar tenderin”. Thotë se s’është likuiduar nga ato firma ndaj s’i ka përfunduar punimet. Gazetarët e pyesin për gabimet, teksa përgjigjet se janë disa punë të lëna përgjysmë, por do të dërgoj punëtorët që t’i bëjnë.
Më pas thotë se ai vetë ka dalë me humbje nga këto shtëpi, pasi kostoja e ndërtimit ka qenë më e madhe sesa vlera prej 22 milionë lekë (të vjetra) që u tenderua. Gazetarët i bëjnë me dije se përse e pranoi si punë, kur ka humbje. Ai përgjigjet se atëherë i mori dhe më vonë u rritën kostot, plus transporti i materialeve në atë fshat.
Top Channel