“Kujdes me mesazhet që ju vijnë në telefon”/ Kreu i AKEP te komisioni i Dezinformimit: “Viktima” edhe deputetët, u mbyllën 155 domaine ruse

16/10/2024 14:07

Në Komisionin e Derzinformimit, Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Tomi Frashëri, dha shpjegime mbi sulmet kibernetike.

Frashëri foli për sulmet e vazhdueshme të “Homeland Justice”, ato të faqeve ruse pas konfliktit dhe luftës në Ukrainë si dhe nivelin e sigurisë tek operatorët dhe qytetarët shqiptarë në shërbimet elektronike.

Ai tha se janë mbyllur rreth 155 domaine ruse dhe 8 të tjera që i përkasin grupeve të hakerimit të të dhënave.

“Kërkesa për domeinet ruse e para ka qenë globale, që më datën 3 Mars 2022, direkt nga Komisioni Europian (BE). I cili ka kërkuar që përveç 3 uebsajteve të specifikuar, që s’po ua përmend emrat, si dhe të tjerave domaineve ruse që mbanin qëndrim dhe publikonin të dhëna në favor të agresionit rus, duhej të mbyllej, sepse përmbanin dezinformim. Kërkesat e tjera kanë ardhur nga organet ligjzbatuese për grupin “Homeland Justice” (iranianët). Kryesisht kanë ardhur kërkesa nga Prokuroria në disa raste, Njësia C kibernetike e Policisë. I vetmi instrument për t’i ndaluar këto, është ligji.”

Ai shpjegoi ndër të tjera se sulmet ndodhën edhe për shkak të neglizhencës së operatorëve dhe personelit të patrajnuar, pasi nuk janë të vëmendshëm ndaj skanimit të sistemit dhe monitorimit, kryesisht në raste të festave dhe muajve të verës, ku kërkohet shërbim shtesë, sepse këto virusë apo maluare hyjnë në sistem, qëndrojnë aty si të fjetura dhe aktivizohen më pas.

Qëllimi i tyre është të rrëzojnë sistemin, të nxjerrin nga shërbimi, të shkatërrojnë të dhënat. Ndaj nuk duhet hapur çdo mesazh që vjen në telefon apo në postën elektronike”, paralajmëroi Frashëri.

Ai i kujtoi deputetëve të Komisionit, por edhe Parlamentit se edhe atyre u ka ndodhur që u kanë ardhur të tilla mesazhe me formë shantazhi (rasti SKY ECC).

“Sulmi që ndodhi në dhjetor, ishte shumë mirë i kalibruar. Tani jemi në llogjikë shkatërrimi, nuk jemi si më parë, kur pjesa më e madhe e sulmeve bëheshin për të nxjerrë para nga kjo gjë. Madje mund t’ju kenë ardhur edhe juve e-maile të tilla, si të kam parë diku në sajte të caktuara dhe po nuk më dhe para, do t’i nxjerrë të gjitha (çështja e SKY ECC). Por tani janë më problematike, sepse janë për kolaps, janë për shkatërrim. Por të gjithë sulmohen, pa përjashtim, një reziston më shumë, përballet më mirë nga tjetri. Ky operator që u sulmua, siç ishte sulmuar ky, nuk është sulmuar më parë asnjë njeri. Kurse ISP-të gjenden kollaj, jepen me ligj, janë në regjistra publikë, edhe në AKEP“-u shpreh ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA