Mbërritja e emigrantëve/ Numërimi mbrapsht ka nisur, Top Channel brenda qendrës së pritjes në Shëngjin

14/10/2024 14:03

Të gjithë janë me sytë nga deti për të parë se kur anija me emigrantë do të mbërrijë në portin e Shëngjinit.

Teksa pala italiane është gati ti presë në Shëngjin dhe Gjadër askush nuk mund ta thotë me saktësi datën e mbërritjes të emigrantëve të parë.

Edhe vetë ministri punëve të brendshme të Italisë nuk e dha një datë.

Megjithatë qendra e pritjes në Shëngjin këtë të hënë u popullua nga gazetarë të shumtë të medias italiane dhe europiane në pritje të emigrantëve.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu duke raportuar live për edicionin e lajmeve ora 12:00 tha se “Roja Bregdetare Italiane ka marrë urdhër këtë të hënë, për të mbledhur në det te hapur, nga varkat apo anijet e peshkimit emigrantët, të cilët mbërrijnë në Lampeduza.

Më pas ata do të çohen në një anije tip traget, e cila do t’i sjellë në Shëngjin.

Pra ardhja e emigrantëve varet nga operacioni në det i rojes bregdetare italiane”.

Për këtë operacion, të parin e këtij lloji në Europë, në Shëngjin e Gjadër do të ketë një personel prej 300 personash mes tyre, oficerë të policisë italiane, gjykatës emigracioni, punonjës të ministrisë së brendshme italiane, punonjës social, mjekë dhe psikologë.

Megjithatë, në vendin fqinj vijojnë polemikat për këtë iniciativë të kryeministres Meloni për të dekurajuar ardhjen emigrantëve në brigjet italiane.

Sipas “Sea Watch”, “qeveria e vetëshpallur patriote e Melonit po shpenzon miliona euro për të burgosur mijëra emigrantë në Shqipëri. “Paratë e taksapaguesve mund të ishin përdorur më mirë”, thotë kjo organizatë e cila merret me shpëtimin në det të emigrantëve.

Prej viteve 1990 Shqipëria ka prodhuar emigracion por pas 34 vitesh kohët kanë ndryshuar. E teksa Europa është përfshirë 10 vitet e fundit nga një valë emigrantësh nga Afrika, vendi unë kthehet në ndihmës për Italinë fqinje, jo për ta zgjidhur njëherë e mirë këtë problem, por për ta zbutur atë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA