Tensionet në Lindjen e Mesme, rritet çmimi i naftës: Izraeli do “shkrumbojë”fushat naftëmbajtëse!

14/10/2024 11:40

Kanë mjaftuar edhe vetëm spekulimet se Izraeli mund të godasë objektet iraniane të naftës që çmimi i saj në tregjet botërore të pësojë menjëherë rritje.

Ekspertët po diskutojnë tani nëse kuotimi i arit të zi do të mbërrijë 200 dollarët për fuçi, apo ndikimi do të jetë i kufizuar. Shteti hebre ende nuk i është përgjigjur breshërisë prej 180 raketash balistike që Irani lëshoi drejt tij një javë më parë duke shkaktuar pak dëme ose viktima.

Por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi se Teherani kishte bërë një “gabim të madh” dhe se do të “paguante shtrenjtë për të”. Pritja e përgjigjes së Tel Avivit ka shkaktuar tension në tregjet globale të energjisë. Netanyahu është nën presion të fortë nga disa zyrtarë të lartë izraelitë, përfshirë ish-kryeministrin Yair Lapid, për ta goditur Republikën Islamike “aty ku i dhemb më shumë”.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden nga ana tjetër, bën thirrje për qetësi dhe ka apeluar të mos goditet infrastruktura e naftës. Që nga sulmet më të fundit të Iranit, çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm. Nafta e papërpunuar Brent u rrit 17% në një javë në 81.16 dollarë (74 euro), megjithëse çmimet janë ulur përsëri, pasi milicia e Hezbollahut e mbështetur nga Irani sinjalizoi një gatishmëri për një armëpushim në konfliktin e saj me Izraelin përtej kufirit libanez.

Nëse Izraeli do të dëmtonte asetet më kritike të naftës të Iranit, ai mund t’i heqë afro 2 milionë fuçi në ditë tregut global të naftës, duke bërë që disa tregtarë të spekulojnë për një kthim në çmimet treshifrore të naftës. Çmimi i naftës për herë të fundit kaloi kufirin e 100 dollarëve, menjëherë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA