Votuesit dhe mbështetësit e socialistëve grekë të PASOK-ut i kanë dhënë një shans të dytë Nikos Androulakis-it në raundin e dytë të zgjedhjeve për liderin e partisë, ku ai ka fituar me gati 59% të votave, ndaj rivalit të tij, kryebashkiakut të Athinës Haris Dhoukas që ka përqendruar 41% të votave.
Epërsia e Androulakis, kryetari aktual i socialistëve, u duk që në raundin e parë të dielën e kaluar, kur në votime shkuan gati 303.000 grekë, përkundrejt vetëm 214.000 që votuan në raundin e dytë.
Me fitoren e tij mbyllet, të paktën përkohësisht një periudhë mosbesimi ndaj kreut të Pasok-ut për mënyrën se si ai menaxhonte institucionet dhe partinë, që e kishte detyruar atë të shkonte në zgjedhje të reja për lidershipin e kësaj force politike.
Rezultati sipas analistëve tregon se mbështetësit e socialistëve nuk u dukën të gatshëm për ndryshime të papritura në parti dhe së dyti ata besuan se Nikos Androulakis mund të sigurojë më mirë përqëndrimin e grekëve rreth kësaj force historike dhe kohezionin e partisë si në qendër ashtu edhe në rajon.
Mund të thuhet se mes dy kandidatëve, Androulakis u shfaq si një zgjedhje më e sigurt, për të mos eksperimentuar me tej tek Pasok-u, në këtë periudhë të vështirë për të gjitha partitë greke , që shohin shifrat e mbështetësve të tyre gjithnjë në rënie.
Por nga ana tjetër ekziston përsëri mosbesimi ndaj figurës së tij ,në se do të mund ta bëjë përsërë Levizjen Panhelenike Greke , forcë kryesore në qeverisjen e vendit ,duke konkuruar denjësisht konservatorët që janë më të përfituarit në këtë periudhë, kur partitë e opozitës janë në fazën e zgjedhjeve të lidershipit dhe përqindjet e tyre jane ende larg partisë në fuqi Demokracia e Re.
Kryetari i bashkisë së Athinës, Haris Doukas ka pranuar humbjen dhe ka telefonuar rivalin e tij duke I premtuar se do të jetë përsëri së bashku për të risjellë socialistët në pushtet.
Kohët e vështira për kreun e ri, Androulakis, që rinovoi drejtimin e PASOK-ut nisin në orët e ardhëshme me riorganizimin e strukturave të partisë dhe me një rinisje për të bindur se socialistët grekë do të mund të rifitojnë vrullin e një partie të pushtetit, në një moment kur Demokracia e Re regjistron një dobësim të forcës së saj,ndërsa edhe partia e dytë opozitare SYRIZA, përballet me probleme ekzistenciale dhe së shpejti shkon edhe ajo në zgjedhje për lidershipin e ri të saj.
Top Channel