Raporti mjekësor, “kusht” presidencial! Zgjedhjet në SHBA, manovra e fundit e Harris vë në pozitë të vështirë Trumpin

13/10/2024 12:30

Kur kanë mbetur më pak se një muaj deri në zgjedhjet presidenciale në SHBA, kandidatja demokrate, Kamala Harris, ka publikuar një raport të mjekut ku përshkruhet në detaje gjendja e saj shëndetësore.

Mjeku i Harrisit ka konfirmuar se ajo është në gjendje të duhur fizike dhe mendore për t’i kryer detyrat si udhëheqëse e shtetit. Ekipi i Harrisit ka vendosur ta publikojë raportin pas hezitimit të rivalit republikan, Donald Trump, që të bëjë të njëjtën gjë

Mjeku i zëvendëspresidentes, Joshua Simmons, ka thënë se Harris ka mënyrë jetese aktive dhe dietë shumë të shëndetshme, pavarësisht orarit të ngjeshur. Ai po ashtu ka vënë në dukje se ajo vuan nga alergjia, nuk pi duhan dhe pi alkool vetëm me masë.

Harrisi 59-vjeçare kandidon kundër republikanit 78 vjeçar Donald Trump, për Shtëpinë e Bardhë. Publikimi i raportit të saj mjekësor është përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndaj refuzimit të Trumpit për ta bërë këtë, sipas një këshilltari të Harrisit.

Ekipi që udhëheq fushatën e Harrisit është i etur për të nxjerrë në pah moshën e ish-presidentit që kur ai mbeti kandidati më i moshuar në garë, pasi presidenti Joe Biden, 81 vjeç, u tërhoq nga gara pas performancës së dobët gjatë debatit të parë me Trumpin.

Ekipi i Harrisit shpreson se diferenca në moshë dhe mprehtësia mendore e saj krahasuar me moshën më të madhe të Trumpit, do të ndihmojë të bindë votuesit e pavendosur se ajo është më e përshtatshme për postin në Zyrën Ovale.

Një mjek i Shtëpisë së Bardhë pati thënë në vitin 2018 kur Trumpi ishte në detyrë, se ai ishte në përgjithësi në shëndet të shkëlqyer atëherë, por duhej të humbte peshë dhe të fillonte një rutinë të përditshme ushtrimesh.

Zgjedhjet në SHBA mbahen më 5 nëntor. Gara është bërë më e ashpër ditëve të fundit. Sipas sondazheve, Harrisi prin me fare pak pikë të përqindjes para Trumpit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA