Ndryshojnë rregullat e udhëtimit drejt Europës/ Çfarë duhet të dini para hyrjes në fuqi të sistemit të ri më 10 prill
Në pranga janë vënë dy vëllezër në Mallakastër, teksa akuzohen për kallëzim të rremë, me qëllim fshehjen e ngjarjes.
28 dhe 26-vjeçari janë plagosur me thikë nga fqinji i tyre, 76-vjeçari me iniciale A. B., ndërsa në polici raportuan se kishin debatuar me njëri-tjetrin.
Edhe fqinji është vënë në pranga, pasi për motive të dobëta plagosi dy vëllezërit.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër menjëherë pas njoftimit të marrë se në spitalin e Ballshit janë paraqitur 2 shtetas për mjekim, të plagosur me mjet prerës (thikë), kanë shkuar dhe kanë marrë kontakt me shtetasit e plagosur.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Mallakastër shtetasit E. P., 28 vjeç, dhe J. P., 26 vjeç (vëllezër), të dy banues në Ballsh, për të dhënë deklaratën mbi ngjarjen e ndodhur. Dy vëllezërit kanë deklaruar se janë konfliktuar me njëri-tjetrin duke fshehur ngjarjen.
Nisur nga deklarimet kontradiktore të dy vëllezërve, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër, në bashkëpunim me Prokurorinë kanë thelluar hetimet dhe si rezultat bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes.
Si rezultat i hetimeve të kryera ka rezultuar se këta shtetas janë plagosur me mjet prerës (thikë), për motive të dobëta, nga shtetasi A. B., 76 vjeç, banues në Ballsh, (fqinji i tyre).
Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve E. P., 28 vjeç, dhe J. P., 26 vjeç, për veprën penale “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, dhe shtetasit A. B., 76 vjeç për veprën penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë”, raporton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Top Channel