“Për Shqiptarët”/ Rrëfimi prekës i dy të moshuarve të dashuruar që jetojnë në çadër

11/10/2024 23:46

Ganiu tregoi një histori të veçantë dhe ndryshe në “Për Shqiptarët”. 

 

Ai surprizoi bashkëshorten e tij, për t’i dhuruar një ditë ndryshe, me qëllim për të kompensuar jetën që nuk ka mundur t’i japë dot. Duke jetuar me sakrificave dhe kushteve të vështira e pa shtëpi, ata japin shembullin e një familjeje të lumtur dhe pa zënka, edhe pse pa fëmijë.

Ganiu është lindur dhe rritur në Librazhd. Ka pasur një fëmijëri jo shumë të lehtë, me punë dhe shumë vështirësi familja e tij mezi ia dilte të përballonte jetesën.

Kur ishte në moshë madhore njohu një vajzë me të cilën u martua dhe patën një djalë. Vitet kalonin dhe Ganiu i siguronte të ardhurat duke punuar në minierën e Prrenjasit. Duart e tij e ndjejnë ende të ftohtin dhe ashpërsinë e veglave të punës dhe trupi nuk e ka harruar errësirën dhe ajrin e mbytur ku i duhej të rrinte për orë të tëra.

Martesa nuk shkoi ashtu siç ai e kishte menduar dhe pas ndarjes u shpërngul në Elbasan. Djali është distancuar me kalimin e viteve dhe kanë shumë pak kontakt.

Në vitin 2003 me mblesëri e njohën me Hajrien, bashkëshorten me të cilën jeton sot. Për fat të keq, për shkaqe shëndetësore Ganiu dhe Hajria nuk mundën të bënin fëmijë dhe këto 21 vite kanë pasur vetëm njëri tjetrin.

Pagesa që merrte nga miniera nuk mjaftonte për të blerë shtëpinë e tyre, prandaj gjithë jetën ata e kanë kaluar nga një shtëpi me qira në tjetrën.

Nuk i ndihmonte askush dhe ata nuk i kërkonin ndihmë askujt. Ganiut i vinte turp të kërkonte ndihmë, i vinte turp që njerëzit ta shihnin gjendjen në të cilën jeta e kishte vendosur. Një burrë duhet të jetë i aftë të mbajë veten dhe familjen thotë ai, nuk duhet ta shtrijë dorën dhe të kërkojë ndihmë te të tjerët.

Me daljen në pension gjërat u bënë edhe më të vështira. Jetonin në një shtëpi shumë të vjetër me qera. Një mbrëmje dimri u zgjuan të tronditur sepse shtëpia ishte përmbytur nga shiu. Uji ishte futur brenda dhe çdo gjë që ata zotëronin ishte dëmtuar. Dolën menjëherë jashtë dhe kërkuan ndihmë por askush nuk bënte dot asgjë. Ishin pa asnjë përkrahje dhe tani kishin ngelur në mes të katër rrugëve.

E vetmja zgjidhje që kishin ishte të krijonin një çadër e të jetonin brenda saj dhe kështu bënë. Mblodhën të gjitha plaçkat që iu kishin ngelur dhe i futën brenda një plastmasi të madh të cilin e kapën në formë çadre me hekura e gurë që mos ta merrte era. Ajo u bë shtëpia e tyre e re.

U bënë 3 vite që jetojnë në çadër, u bënë 3 vite që jetojnë pa energji elektrike dhe ujë. Kur bie nata, presin të ndizen dritat e rrugës që të futet pak dritë brenda. E vetmja gjë që ngroh netët e ftohta është mirëkuptimi dhe harmonia që kanë me njëri tjetrin.

Me pensionin mujor të të dyve mezi ia dalin për të paguar ushqimin dhe ilaçet që janë të detyruar të pinë prej moshës.

Ganiu nuk do që t’i vijë keq askujt për të dhe Hajrien. Ai na ka treguar se ka pritur që dikush t’i thoshte të paktën një fjalë të ngrohtë, por askush nuk e ka gjetur kohën për të ndaluar një moment e për t’i pyetur nëse kishin ngrënë, a kishin nevojë për gjë, a ishin ende gjallë…

Atij i vjen keq që jeta i shkoi kështu, i vjen keq që nuk pati kurrë një moment gëzimi me Hajrien. Do të donte që jeta e tyre të kishte qenë shumë më ndryshe por jeta kështu rrodhi. Prandaj ai kërkon që sot t’i dhurojë Hajries disa kujtime të lumtura, dëshiron që të paktën për disa orë të dy ata të harrojnë çdo vuajtje dhe vështirësi. Nuk mundën të bënin fëmijë dhe të kishin një familje të madhe, por kanë patur njëri tjetrin. Gjithmonë do kenë njëri tjetrin. Hajria për të ka qenë grua, mike, motër dhe gjithçka në një.

Kanë qarë hallet bashkë, kanë ndarë ëndrrat bashkë dhe kanë shpresuar se ditë më të bukura do të vijnë.

Letra e Ganiut për bashkëshorten e tij, Hajrien

Hajria ime e dashur,

U bënë shumë vite që jemi bashkë dhe planet që thurrëm në fillim ishin të shumta, por fati nuk ishte me ne.  Kanë qenë vite të vështira dhe nëse nuk do të të kisha njohur ty, e them me bindje se nuk do ia kisha dalë dot. Çdo ditë rri i ulur në stolin ku ulem gjithmonë, jashtë çadrës që prej 3 vitesh është shtëpia jonë. Mendohem se ku gabova që jeta më shkoi kështu, por nuk gjej një përgjigje…

Më vjen keq që nuk patëm fëmijë të cilët do mbushnin ditët tona me të qeshura. E di që je lodhur sepse kemi punuar shumë, kemi rendur nëpër fusha duke mbledhur lule për t’i shitur dhe unë s’pata kurrë mundësinë të të gëzoja ty me një buqetë me lule, as kur ke pasur ditëlindjen e as kur ke qenë sëmurë.

Ne nuk jemi zënë kurrë, nuk jemi grindur asnjëherë në këto 21 vite bashkë. Ti e di që unë jam shumë krenar dhe me vjen turp të kërkoj ndihmë, prandaj për të më qetësuar më thoshe gjithmonë se ne nuk na duhej asgjë, na mjaftonte vetëm të kishim shëndetin dhe të dy bashkë do e kalonim edhe këtë sfidë.

Por unë e di se edhe ti e ke mbajtur të gjithë mërzitjen brenda vetes sepse nuk doje që të më mërzisje mua. Unë dua të të qëndroj në krahë gjithmonë, vetëm të lutem të më bësh një premtim. Mos të të shkojë kurrë më në mendje që t’i japësh fund jetës sepse ditë më të bukura do të vijnë….

Më lejo të të premtoj unë sot, që do të të sjell xixëllonja në errësirë…

Ka shumë raste kur ndihem në faj që nuk munda të të dhuroj një jetë më të lehtë. Në këtë moshë ne duhet të ishim duke u kujdesur për nipërit e mbesat, ti duke gatuar në kuzhinë e unë duke u kujdesur për pemët në kopësht. E në darkë, kur dielli të ulej, të dy bashkë të bënim një shëtitje, teksa ti më tregoje gjithë qejf fustanin e ri që kishe blerë….

Në fund fare, çfarëdolloj gjëje të ndodhë, sado të kem jetë, ti do të jesh feneri që do të ndriçosh rrugën time. Uroj që kjo rrugë të jetë e bardhë, e mbarë dhe plot shëndet.

Sot dua të të them faleminderit për çdo gjë dhe do të të jem gjithë jetën mirënjohës që ke qenë përkrah meje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA