Shtatë përsona kanë rënë në pranga, tre prej tyre punonjës të OSHEE-së, për kultivimin e lëndëve narkotike në një magazinë të përshtatur me llamba.
Në kuadër të operacionit policor “Tuneli” n kërkim mbetet ende një person, ndërsa një 39-vjeçare është nënë hetim për moskallëzim të krimit.
Të arrestuar janë shtetasit:
– E. T., 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” kryer në bashkëpunim, i dënuar më parë në Gjermani për kultivim bimësh narkotike;
– Sh. T., 57 vjeç, A. L., 59 vjeç, E. L., 26 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” kryer në bashkëpunim;
– E. P., 40 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës i grupit të monitorimit të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– E. C., 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë elektriçist pranë OSHEE-së për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– G. Gj., 59 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë faturist pranë OSHEE-së për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu u procedua penalisht shtetasja H. D., 39 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Po në kuadër të këtij operacioni, u shpall në kërkim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” kryer në bashkëpunim, shtetasi S. K., 46 vjeç, banues në Tiranë.
Pesë prej tyre, në një magazinë në rrugën “Hamdi Pepa” kishin përshtatur një tunel, nga kati i parë në katin e dytë të magazinës, për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.
Punonjësit e OSHEE, nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në këtë ambient, në zonën që ata kishin në monitorim, ndërsa shtetasja H. D., ka pasur dijeni për këtë veprimtari kriminale dhe nuk ka kallëzuar pranë organeve kompetente.
Gjatë zhvillimit të operacionit janë gjetur dhe sekuestruar 193 bimë kanabis të kultivuara në vazo (183 prej tyre janë asgjësuar me anë të djegies ndërsa 10 janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme), 100 bimë të thara të futura nëpër thasë, llamba elektrike, ventilatorë, tuba plastikë, pajisje aspirimi, filtra, bobina dhe sende të tjera që shërbejnë për kultivim bimësh narkotike me anë të llambave.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Top Channel