“Duhet të kurohem”/ Jurgis Çyrbja flet për Top Channel pas lënies së mandatit dhe thirrjes në SPAK: Kisha ca sqarime për kohën kur…

11/10/2024 13:07

SPAK  mori të pandehur deputetin socialist Jurgis Cyrbja, i cili akuzohet se ka shpërdoruar detyrën me  firmat që ka hedhur në 4 raste mbi pronësinë e gati 25 mijë metra katrorë tokë në zonën e Rrashbullit në Durrës.

Hetimet ndaj tij lidhen me postin e drejtorit të hipotekave në këtë qytet, një detyrë që e mbajti deri në 2017 kur edhe mori mandatin e parë në parlament. I kallëzuar prej 2021 nga demokrati Edi Paloka, deputeti i cili dorëzoi mandatin pak orë pasi u pyet në SPAK, ka këmbëngulur se nuk ka shpërdoruar detyrën dhe se nuk kishte kompetenca të kontrollonte praktikat që I delegoheshin nga vartësit.

Gazetarja Anila Hoxha: Për çfarë ishit në SPAK?

Jurgis Çyrbja: Ishim për të dhënë sqarime për një çështje

Gazetarja Anila Hoxha: A ju komunikua akuza?

Jurgis Çyrbja: Për informacione pyesni në SPAK

Gazetarja Anila Hoxha: Për kohën kur ishit drejtues?

Jurgis Çyrbja: Për kohën kur isha drejtues i hipotekës kisha disa sqarime për të dhënë

Por, SPAK ka konkluduar se në 4 episode deputeti i dyshuar, që la mandatin për të marrë statusin e të akuzuarit, ka shpërdoruar detyrën dhe diçka të tillë nuk e ka bërë i vetëm. Bashkë me të pritet të merren të pandehur edhe pesë të tjerë nëpunës dhe administratë në Durrës.

Gazetarja Anila Hoxha: Keni statusin e të akuzuarit?

Jurgis Çyrbja: Duhet të flisni me SPAK

Gazetarja Anila Hoxha: Po mandatin pse e dorëzuat?

Jurgis Çyrbja: Ashtu e kam një gjendje shëndetësore që duhet të kurohem

Lënia e mandatit të deputetit do të hapë një tjetër diskutim. Çështjen e kompetencave dhe pyetjen nëse duhet hetuar e gjykuar kjo dosje nga SPAK dhe gjykata antikorrupsion apo gjykata e Durrësit. Nga çdo këndvështrim, përgjigjet do t’i japë SPAK. Deri më tani, Këshilli i Mandateve nuk është shprehur ende për dorëheqjen e Çyrbjes nga mandati, megjithëse deputeti e ka njoftuar kuvendin për vendimin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA