“Dronë kamikazë për ushtrinë tonë”, Rama: E çmoj dhuratën e Presidentit turk, s’duhet të shqetësojë askënd se kë do godasë Shqipëria

10/10/2024 14:32

Gjatë konferencës për shtyp me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama njoftoi se Shqipëria do të marrë dronë kamikazë për ushtrinë tonë, si një dhuratë që i vjen nga Turqia.

Kryeministri u shpreh se çmon dhuratën e presidentit turk, ndërsa theksoi se kjo dhuratë ‘nuk duhet të shqetësojë aksin se kë do të godasë Shqipëria’.

“Nga ana tjetër, ne jemi shumë të interesuar dhe patjetër edhe shumë të përmbushur sot pas konfirmimit të një etape të re në fuqizimin e industrisë ushtarake të Republikës së Shqipërisë dhe në fuqizimin e kësaj marrëdhënieje në aspektin ushtarak ku dihet botërisht që Turqia ka arritur një nivel shumë të lartë kapacitetesh për prodhimin e industrisë ushtarake dhe ku ne kemi identifikuar konkretisht investime në këtë fushë.

E thashë në hapje të mbledhjes së Këshillit dhe e përsëris që unë e çmoj posaçërisht dhuratën e presidentit sot në këtë kohë të trazuar kur bota ka marrë një drejtim, të çuditshëm për ta thënë me një fjalë të butë, për t’i dhënë ushtrisë së Republikës së Shqipërisë një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë.

Është një dhuratë që nuk duhet të shqetësojë askënd se kë do të godasë Shqipëria, por besoj që është një dhuratë që përmban brenda një mesazh shumë të qartë të Republikës së Turqisë në raport me këtë marrëdhënie, që Shqipëria është e pagoditshme”, u shpreh kryeministri.

Top Channel