Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës gjendjen e flotës së zjarrfikëseve në Shqipëri.

Në pjesën më të madhe të stacioneve kishte zjarrfikëse të vjetra, duke filluar nga viti ’60-’70, të amortizuara dhe godina të shkatërruara. Vera që sapo lamë pas ka qenë një nga më të nxehtat në Shqipëri. Qindra vatra zjarri u përhapën nga Vermoshi në Konispol, teksa ka pasur edhe situata dramatike ku janë rrezikuar edhe jetë njerëzore.

Madje, janë shkrumbuar pyje, shtëpi apo edhe resorte. Në disa vende ka pasur edhe vatra të mëdha zjarri, të cilat kanë zgjatur me ditë me radhë, në qytete apo male, pasi zjarrfikësit e kanë pasur të pamundur shuarjen e tyre si pasojë e mungesës së mjeteve apo edhe infrastrukturës. Nisur nga kjo situatë, Fiks Fare ka bërë një vëzhgim në dhjetëra qytete për stacionet e zjarrfikëseve, flotën apo edhe vendqëndrimet. Situata ishte alarmante.

Në disa qytete kishte mjete të viteve ’60 dhe ’70, të pa pajisura me mjete për shuarjen e flakëve apo ndërhyrjes në aksidente. Dhjetëra mjete ishin në servise, ndërkohë që të tjerë kishin depozitat e ujit të çara. Por, krahas flotës, alarmante ishin edhe stacionet. Të pa rikonstruktuara, me lagështi, orendi të vjetra apo edhe të çara, duke rrezikuar edhe jetët e personelit. Ndërkohë, edhe ato qytete që kishin mjete të reja, ato ishin donacione.

Shijaku me zjarrfikëse të çarë, auto-shkalla e Durrësit në SPAK!

Grupi i “Fiks Fare” udhëtoi në Shijak dhe kazani i zjarrfikëses së vetme që ishte në gjendje pune rridhte. Kazani ishte i çarë, ndërkohë që zjarrfikësja tjetër ishte në remont. Zjarrfikësit qëndronin në një kontenier, pa asnjë kusht për të qëndruar. “Kemi një problem të vogël me rrjedhjen e tij. S’është e mundur ndërhyrja se kërkon kohë, të mbyllim sezonin dhe do të merremi” tha inspektori i MZSH-së Shijak, Sajmir Çeka. Fiksi e pyeti se përse e quan problem të vogël rrjedhjen, teksa ai u përgjigj se “s’kemi rrjedhje masive, por s’mund ta riparojmë tani”. Pyetjes se përse zjarrfikësit qëndrojnë në kontenierë përgjigjet se kushtet s’janë të mira, por Bashkia e Shijakut u ka premtuar një stacion të ri.

Kamera e Fiksit udhëtoi në stacionin e zjarrfikëses në Durrës, ku shefi Mariglen Muçaj tha se kanë marrë makina të reja, por këtë sezon zjarresh e kaluan me të vjetrat pasi të rejat s’kanë ardhur akoma. Sipas tij, i gjithë stacioni operon me një auto-shkallë e prodhuar në vitin 1963, pasi auto-shkallën e re ia sekuestroi SPAK-u, në çështjen penale ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. “Durrësi mori disa vite më parë një auto-shkallë, që tani është liruar nga Gjykata e Posaçme, por duket qenë se qëndroi 4 vjet e sekuestruar, kemi bërë kërkesë të na sjellë bashkia ekspertë të shohë gjendjen teknike. Më pas do e çojmë ta riparojmë” pohon ai. Zjarrfikëset funksionale janë të vitprodhimit 1996, teksa UNDP-ja i ka dhuruar edhe pajisje për tërmete, por pas tërmetit të vitit 2019.

Fiksi shkoi edhe në Kavajë, ku stacioni qëndron në katin e parë të një pallati. Është bërë stacioni i ri, por ende nuk është inauguruar. Ndërkohë, Stacioni i Rrogozhinës ka dy mjete. Besnik Murati, Shef i MZSH-së Rrogozhinë, tha për Fiks Fare se duhet edhe një autobot, pasi zjarrfikësja ka vetëm 2500 litra.

Belshi me mjet të ’75-ës, mjetet e Peqinit relike!

Ndërkohë, stacioni i  zjarrfikëses në Belsh, ka vetëm një automjet në gjendje pune. Është një mjet MAN, i vitit 1975. Ky stacion kishte edhe një mjet tjetër, por ishte në servis. Mjeti i vitit 1975 ishte në gjendje tepër të amortizuar, me sajesa dhe modifikime. Ndërkohë, mjeti s’kishte asnjë pajisje për aksidente apo sende të tjera si kundragaz. E njëjta situatë ishte edhe në ambientet e qëndrimit, ishte një godinë e improvizuar si stacion. E pa rregulluar, me banja të papastra dhe pa rikonstruktuara.

Ditën që grupi i Fiks Fare shkoi për të parë stacionin e zjarrfikëses në Peqin, një zjarr i madh ra në zonën e Metalurgjikut në Elbasan. Kamera e Fiksit ndoqi autobotin e këtij stacioni. Mjeti është shumë i vjetër dhe pa sirena. Shoferi dhe zjarrfikësit lajmëronin me duar mjetet dhe shoferët e tjerë që të hapnin rrugën. Agron Gjevori, komandanti i MZSH-së Peqin, ta se “s’kemi asnjë pajisje për aksidente”. Ai tregoi mjetin zjarrfikës, për të cilin pohoi se ka vetëm 7 tuba. “Para 1 jave kemi pasur një aksident, ndëjti shoferi brenda se u përplas me një maune dhe s’kishim çfarë ti bënim. Na vinte turp që rrinim atje. Ne duhet të jemi stacioni më i dobët për pajisje. Autoboti është në gjendje të mirë teknike, po s’ka sinjalistikë.

S’ka një bori ti biesh. Autoboti është i vitit 1975” tha ai. Për zjarrfikësen shton se makina ka 18 vjet që punon në Peqin, por është shtrydhur. “Ne s’kemi as rrobA për me u vesh. Ky stacioni jonë duhet të jetë më i keq në Shqipëri. Pajisjet s’ke çfarë sheh, kjo makinë ka 10 tuba dhe një kundragaz që është çarë nga të gjitha krahët. Ta vësh është i mbaruar. Më mirë të thuash s’kemi. Kjo është gjendja e makinës. Kemi këto fikset në kurriz. Kemi kazma dhe lopata, këto janë! Po s’patëm dhe këto, mbaruam. Nuk kemi ato kryesoret, shkojmë në aksident është turp të shkosh. Më mirë të mos shkosh” përfundon ai.

Por, disa kilometra më në lindje, Stacioni i Cërrikut ishte pajisur me mjete të reja, madje ka edhe 1 mjet të vitit 2024, donacion nga Ambasada Japoneze. “Një tjetër e kemi të vitit 2022, donacion nga BE-ja. Ambientet lënë pak për të dëshiruar, janë në katin e parë të një ish-konvikti dhe të pa riparuara.

Kuçova me stacionin e luftës, Lushnja gërmadhë

Stacioni i Kuçovës është më i vjetri në Shqipëri, i hapur kur italianët zbuluan naftë. “Ky është stacioni i parë i hapur nga API Italian, kur erdhën për të hapur puset dhe bënë këtë stacion. Është ndërtuar rreth viteve ‘44. Tani kemi 2 mjete, njëri është nga Ambasada Japoneze. Kemi një mjet të vjetër dhe mbahet për relike se bashkia do hapë një muze, ai është i vitit 1973. Ambasada Amerikane na ka thënë se do bëj stacion të ri, se mbulojmë bazën ushtarake dhe e mbulojmë territorin nga jashtë” tha përgjegjësi Teodor Mërtiri. “Ambientet e qëndrimit janë të pa rregulluara, por shumë të vjetra. Nuk është ndërhyrë, janë bërë gjëra të vogla. Struktura është që nga koha e italianit, është i njëjti projekt” pohon ai.

Ndërkohë, Stacioni i Zjarrfikëses në Lushnje është vendosur te ish-dega ushtarake prej 15 vitesh, një godinë tepër e vjetër dhe e amortizuar. Me një tualet jashtë që rrjedh ujë, me lagështirë të madhe. Edhe ambientet e brendshme janë shumë të amortizuara, me lagështirë dhe të pa rregulluara. “Mjeti foristradë ka 2 vjet që erdhi dhuratë nga TAP-i se kalon në territorin tonë linja e TAP-it. Në të gjitha bashkitë që kalon TAP-i ka dhuruar mjete të tilla” tha Xhezmi Metushi, shef i MZSH-së Lushnje. Në momentin që Fiksi e pyet përgjegjësin për zjarrin e madh në qendrën Tregtare dhe vështirësitë, përgjegjësit i bie telefoni për një urgjencë dhe nisen në urgjencë.

Fiksi shkoi edhe në Mallakastër, ku stacioni ishte rinovuar pas denoncimit po nga Fiks Fare të vitit 2017. Stacioni i Patosit ishte i pa rikonstruktuar, ndërsa kishin mjete dhe një autobot. “Ambasada Amerikane do na bëjë një stacion të ri në lagjen Dukas, do të fillojë shumë shpejt për tu bërë i ri. Stacioni ka qenë këtu nga viti 2014, atëherë s’’ka pasur tualet. Do bënim ndërhyrje, por do bëhet reparti i ri dhe u kanë se s’bëhen paralelisht dy ndërhyrje” tha Alket Halimi, shef i MZSH-së Patos. Ndërkohë, stacioni në Roskovec nuk ishte në qytet, por 8 kilometra larg qendrës, në një fshat!

FOTO GALERI
2/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA