Votuesit amerikanë ka gjasa të përballen me një valë dezinformatash dhe fushatash drejtuar ndaj tyre, të ndërmarra nga kundërshtarët e SHBA-së që synojnë, sipas zyrtarëve të lartë të zbulimit amerikan, të ndikojnë në rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe të hedhin dyshime mbi vetë procesin.
Vlerësimi i fundit nga Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar, i bërë publik të hënën, vjen vetëm 29 ditë përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit, ku amerikanët do të hedhin votën për presidentin e ardhshëm dhe për gara të tjera në nivel qendror dhe lokal.
“Vazhdojmë të shohim aktorë që intensifikojnë aktivitetet e tyre ndërsa i afrohemi ditës së zgjedhjeve,” tha një zyrtar i lartë i zbulimit amerikan, duke folur për gazetarët në kushte anonimiteti.
Ai thotë se zgjedhjet vetë mund të jenë vetëm pika e fillimit.
“Komuniteti i zbulimit parashikon që aktorët e huaj të vazhdojnë fushatat e tyre, duke vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e rezultateve të zgjedhjeve pas mbylljes së qendrave të votimit,” shtoi zyrtari.
Një tjetër zyrtar i zbulimit amerikan paralajmëroi se ritmi i përpjekjeve të tilla për ndikim, veçanërisht ndaj garave dhe ekipeve të fushatave të caktuara, është përshpejtuar.
“Kemi pasur një rritje më shumë se trefish,” tha zyrtari.
Agjencitë e zbulimit paralajmërojnë gjithashtu se kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara ka gjasa të shfrytëzojnë dëmet e shkaktuara nga uragani Helene dhe dëmet që mund të shkaktojë uragani Milton, për të amplifikuar dhe përforcuar teoritë e konspiracionit që synojnë të minojnë besimin tek rezultatet e zgjedhjeve.
“Ne parashikojmë që vendet e huaja të përfitojnë nga situata të tilla dhe të nxisin një retorikë të mëtejshme përçarëse”, tha zyrtari.
Vlerësimi i së hënës pason një sërë paralajmërimesh të mëparshme publike në lidhje me përpjekjet e huaja për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.
Zyrtarët amerikanë thanë të hënën se Rusia, Irani dhe Kina vazhdojnë të jenë përgjegjëse për shumicën e përpjekjeve për të ndikuar tek votuesit amerikanë. Ata thonë se Rusia vazhdon të zhvillojë fushata ndikimi që synojnë të rrisin shanset e ish-presidentit të SHBA dhe kandidatit republikan për president Donald Trump, ndërkohë që përpiqet të dëmtojë fushatën e kandidates demokrate, Nënpresidentes Kamala Harris.
Përpjekjet e Iranit vazhdojnë të synojnë të ndihmojnë zonjën Harris duke dëmtuar zotin Trump, thanë ata, duke vënë në dukje veprimet e vazhdueshme kundër fushatës së kandidatit republikan, të cilat implikojnë tre operativë që punojnë për Gardën Revolucionare Islamike të Iranit.
Në shënjestër edhe garat shtetërore dhe lokale
Agjencitë e zbulimit amerikan vlerësojnë se Kina nuk është implikuar në fushatën presidenciale të SHBA-së, duke u përqendruar tek përpjekjet për ndikim tek kandidatët shtetërorë dhe lokalë të perceptuar si të dëmshëm për interesat e Pekinit, veçanërisht ata që shprehin mbështetje për Tajvanin. Por vlerësimi i fundit publik tregon disa ndryshime.
Zyrtarët e zbulimit amerikan paralajmëruan të hënën se Rusia dhe Kuba i janë bashkuar Kinës, duke vënë në shënjestër garat e Kongresit, ato për zyrtarë të shteteve dhe lokalë.
“Moska po përdor një gamë të gjerë aktorësh në një përpjekje për të ndikuar në garat e Kongresit, veçanërisht për të inkurajuar publikun amerikan që të kundërshtojë politikat dhe politikanët pro-ukrainas”, tha zyrtari i zbulimit.
“Havana pothuajse me siguri ka konsideruar mundësinë për të ndërmarrë fushata për të ushtruar ndikimi lidhur me disa kandidatë. Kjo është në përputhje me atë që ata kanë bërë në zgjedhjet e kaluara”, shtoi zyrtari.
Rusia, Kina dhe Irani kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat e mëparshme të SHBA-së për ndërhyrje në zgjedhje. Rusia, Irani dhe Kuba ende nuk u janë përgjigjur kërkesave të Zërit të Amerikës për koment mbi vlerësimin e fundit.
Kina të hënën vonë përsëri hodhi poshtë shqetësimet e SHBA-së.
“Kina nuk ka interes për zgjedhjet e Kongresit të SHBA-së dhe ne nuk kemi asnjë synim dhe nuk do të ndërhyjmë në to,” i tha Zërit të Amerikës në një email Liu Pengyu, zëdhënësi i Ambasadës Kineze në Uashington.
Por vlerësimet e zbulimit amerikan përputhen me shqetësimet e shprehura nga disa ligjvënës dhe kompani private të teknologjisë.
“48 orët pas mbylljes së qendrave të votimit, veçanërisht nëse kemi zgjedhje me rezultat aq të ngushtë sa ç’parashikohet, mund të jenë po aq të rëndësishme madje ndosjta më të rëndësishme për sa i përket përhapjes së informacionit të rremë, dezinformimit dhe minimit të demokracisë sonë,” tha Mark Warner, kryetar i Komisionit të Zbulimit të Senatit, gjatë një seance muajin e kaluar.
‘Aktivitet intensiv’
Presidenti i Microsoft-it Brad Smith, i cili ka paralajmëruar se momentet më të rrezikshme mund jenë 48 orët para zgjedhjeve në SHBA, tha se rritja e përpjekjeve kibernetike nga Rusia dhe Irani është e pamohueshme.
“Po shohim aktivitet të fuqishëm,” tha zoti Smith në një konferencë kibernetike muajin e kaluar. “Po shohim se iranianët me të vërtetë duan të vënë në shënjestër Partinë Republikane në fushatën e zotit Trump,” tha ai. “Po shohim se rusët kanë në shënjestër Partinë Demokrate dhe tani fushatën e zonjës Harris.”
Dhe është e paqartë se sa efektive kanë qenë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të frenuar numrin në rritje të përpjekjeve për ndikim të huaj.
Muajin e kaluar, Departamenti Amerikan i Drejtësisë kapi 32 adresa interneti të përdorura nga kompanitë e lidhura me Moskën për të përhapur dezinformata. Në të njëjtën kohë, Departamenti paditi punonjësit e medias RT të kontrolluar nga shteti në lidhje me një komplot për të përhapur propagandë ruse përmes një kompanie mediatike me bazë në SHBA.
Zyrtarët e zbulimit amerikan megjithatë thanë të hënën se taktika të tilla nuk bëhen më vetëm nga Kremlin.
“Aktorët e ndikimit të huaj po përmirësojnë aftësitë për të fshehur përpjekjet e tyre dhe për të përdorur amerikanët për ta bërë një gjë të tillë,” tha një nga zyrtarët e zbulimit amerikan.
“Vendet e huaja e kuptojnë se amerikanët kanë më shumë gjasa të besojnë amerikanët e tjerë sesa përmbajtje që ka sinjalet e qarta të propagandës së huaj”, tha zyrtari.
Senatori demokrat nga Arizona, Mark Kelly tha në një intervistë për rrjetin CBS të dielën se mediat sociale janë të mbushura me identitete të rreme të krijuar nga kundërshtarët e SHBA.
“Nëse sheh përmbajtje në Twitter, në TikTok, në Facebook, në Instagram dhe janë të natyrës politike, ka 20-30 për qind shans që ato dhe komentet për to, vijnë nga një prej këtyre tre vendeve: Rusia, Irani, Kina”, tha ai. “Kjo nuk do të marrë fund më 5 nëntor”./ VOA
Top Channel