Presidenti Joe Biden ka shtyrë të gjitha udhëtimet që kishte parashikuar për këtë javë, për shkak të një uragani të fuqishëm që pritet të godasë shtetin juglindor, Floridan.
“Duke pasur parasysh trajektoren dhe forcën e parashikuar të uraganit Milton, Presidenti po shtyn udhëtimet e tij në Gjermani dhe Angola me qëllim që të mbikëqyrë përgatitjet dhe reagimin ndaj uraganit”, njoftoi të martën në një deklaratë sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
Deklarata vjen përpara komenteve të Biden këtë mëngjes mbi ndikimin e uraganit dhe përpjekjet e vazhdueshme për rimëkëmbjen nga një tjetër uragan i fortë që goditi disa ditë më parë Shtetet e Bashkuara, Helene.
Disa javë para ditës së zgjedhjeve, politika e menaxhimit të rimëkëmbjes së stuhisë është kthyer në një pikë debati. Presidenti dhe zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë janë të shqetësuar për përhapjen e dezinformatave në lidhje me reagimin federal ndaj uraganit Helene të javës së kaluar, duke përfshirë deklaratat nga ish-presidenti Donald Trump.
Një nga pretendimet e Trump ishte se Biden dhe Zëvendës Presidentja Kamala Harris nuk ishin prezentë në vendet e prekura nga stuhia, për të parë më nga afër dëmet, pavarësisht se ata udhëtuan në shtetet që patën dëmtime. Megjithatë, nëse Biden do të ishte jashtë vendit pas stuhisë, disa demokratë kishin shqetësimin se kjo mund të përdorej nga kundërshtarët.
Uragani Milton i kategorisë së katërt pritet të arrijë në tokë të mërkurën. Qendra Kombëtare e Uraganeve e ka përshkruar Miltonin si një “stuhi jashtëzakonisht të fuqishme” që përbën një “kërcënim jashtëzakonisht serioz për Floridan”.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, u tha vendasve që “të kenë parasysh” paralajmërimet dhe të evakuojnë zonat më të rrezikuara.
Më pak se dy javë pasi Uragani Helene mbërriti në Bregun e Gjirit si stuhi e kategorisë katër, ku për pasojë la të vdekur 225 njerëz në të gjithë Floridan, Xhorxhian, Karolinën e Jugut, Tenesi, Virxhinia dhe shtetin më i goditur Karolinën e Veriut.
Top Channel