Libanezët që largohen nga bombardimet izraelite gjejnë strehim në Karbala të Irakut (fotot)

08/10/2024 18:59

Familje libaneze të zhvendosura prej bombardimeve të rënda izraelite në jug dhe lindje të Libanit kishin gjetur strehim në qytetin e shenjtë iraken të Karbala, ku autoritete dhe grupet islamike të bamirësisë kishin hapur për ta komplekset e rezervuara normalisht për pelegrinët.

Refugjatët që kishin kaluar përmes Sirisë për të mbërritur këtu, tregonin për luftën që i gjeti të papërgatitur.

Refugjati libanez Jalal Assi, tha se janë goditur nga artileria izraelite prej gati një jave:

“Kemi jetuar për pesë ditë nën goditjet e artilerisë dhe të sulmeve ajrore, u detyruan të largoheshin kur predha goditi shtëpinë e fqinjit tonë, falë Zotit nuk kemi të vrarë nga familja. U larguan për hir të fëmijëve dhe familjeve”.

Jalal Assi tregon më tej për ardhjen në Irak:

“Na thanë se Iraku ka lehtësuar pritjen të huajve. Shumë prej nesh u larguan pa dokumente dhe letra identifikimi por na rrëfyen se Iraku po i pret libanezët pa pasaportë, një kartë identiteti apo një certifikatë lindjeje mjafton”.

“Tani konsiderohemi të shpëtuar nga lufta. Na pritën këtu në tempullin e shenjtë të Imam Hussein, ata na dhanë çfarë kishim nevojë. Tani do të presim që gjërat të qetësohen që të kthehemi, dashtë Zoti”, tha Xhalal për rrjetin AFP.

Libanezja Rasha Nasser El Din, jepte gjithashtu dëshminë e saj:

“Situata ishte e padurueshme, bombardime të vazhdueshme, rrugët nuk ishin të sigurta. Kemi anëtarë të familjes që u vranë. Ndjehemi sikur kemi mbetur jetimë, është një situatë e vështirë”.

Zyrtari vendas Ali Al-Hussaini, foli për ambjentet e përgatitura për refugjatët libanezë, po jo për mënyrën sesi ata kishin mbërritur në Irak.

“Kemi gjashtë komplekse hotelesh për të ardhurit. Një grup ka ardhur prej ditësh në qytetin Sayyid al-Awsiya ku besohet se strehohen rreth 500 libanezë. Është përgatitur gjithashtu një qendër shëndetësore”, tha Al Husaini për rrjetin AFP.

FOTO GALERI
1/5
Familje libaneze të zhvendosura prej bombardimeve të rënda izraelite në jug dhe lindje të Libanit kishin gjetur strehim në qytetin e shenjtë iraken të Karbala

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA