Tunizianët në protestë ndaj ‘shtypjes politike’ para zgjedhjeve presidenciale (fotot)

05/10/2024 19:23

Qindra tunizianë dolën dje në protestë në kryeqytetin Tunis, për të denoncuar rritjen e shtypjes ekonomike dhe të të drejtave nga qeveria dhe agjencitë e saj, teksa vendi bëhet gati për zgjedhjet presidenciale që pritet të fitohen sërisht nga mbajtësi postit Kais Saied.

Që prej marrjes së pushtetit nga Saied, një numër kritikësh të tij kanë përfunduar në burg, mes të cilëve edhe një prej kandidatëve të zgjedhjeve të së dielës.

“Kais Saied po shkel më këmbë të drejtat tona,” tha Leila Chebbi, aktore vendase që merrte pjesë në protestë. “Unë do t’i bojkotoj këto zgjedhje. Sepse ato shkelin ligjin dhe nuk janë legjitime”, shtonte e reja për rrjetin AFP

Duke marshuar mes bulevardit kryesor Habib Bourguiba të mbushur me forca policie, protestuesit kërkonin dorëheqjen e Saied, duke e quajtur “faraon manipulues”.

“Rruga është mënyra jonë për të denoncuar sulmet ndaj lirive të njerëzve dhe të drejtave të njeriut dy ditë para zgjedhjeve,” tha Bassem Trifi, kreu i Liges Tuniziane për të drejtat e njeriut, grupi organizator i protestës.

“Kemi dalë për të denoncuar shkeljen e demokracisë, shkeljen e arritjeve të revolucionit, veçanërisht të lirisë së shprehjes dhe të grumbullimit,” shtoi ai.

Tunizia ishte vendi nga ku nisën përmbysjet e pushteteve të asaj që njihet si “Pranvera Arabe”, me largimin e liderit të vjetër Abidine Ben Ali në 2011, por per popullin asgjë nga ekonomia apo korrupsioni nuk ka ndryshuar.

Pas ardhjes  së bujshme në pushtet në 2019, 66 vjeçari Saied, në 2021 shpërndau papritur parlamentin dhe rishkroi kushtetutën e vendit.

Ndërsa më pas nisi shtypja ndaj kundërshtarëve e kritikëve politikë.

Grupi i të drejtave Human Rights Watch thotë se më shumë se “170 zyrtarë janë burgosur për arsye politike në Tunizi”, shkruan rrjeti AFP.

FOTO GALERI
1/5
Duke marshuar mes bulevardit kryesor Habib Bourguiba të mbushur me forca policie, protestuesit kërkonin dorëheqjen e Saied, duke e quajtur “faraon manipulues”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA