Historia e 3-vjeçarit, Luisit të vogël, u rrëfye mbrëmjen e sotme në “Për Shqiptarët” nga prindërit e tij që kërkonin ndihmë për të dërguar të voglin e tyre për kurim jashtë shtetit.
Ai po lufton me jetën për të mposhtur tumorin, por në Shqipëri nuk është e mundur trajtimi i mëtejshëm.
Pas apelit në Top Channel, janë mbledhur në kohë rekord 120 mijë euro, të cilat nevojiten për trajtimin e tij jashtë shtetit.
Historia:
Kjo është historia mallëngjyese e Luisit të vogël nga Maliqi, që ende nuk ka mbushur 3 vjeç por jeton më shumë ditë në spitalin e fëmijëve sesa në shtëpinë e tij…
Pesë vite me parë Ervini 28 vjeç dhe Kristina 22 vjeç nga Maliqi do të njiheshin dhe do të lidhnin jetën e tyre. Ervini punonte në atë kohë shofer kamioni dhe bentë rrugë si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë.
Më 23 dhjetor të vitit 2021 Kristina lind Luisin, djalin e saj të parë. Emrin e kishte gjetur vetë. Me këtë rast Ervini, Kristina dhe Luisi do të bënin një dasmë të vogël modeste, për të festuar të gjitha gëzimet bashkë.
Për një vit gjithçka shkonte mirë, Luisi solli shumë gëzim në familje… Derisa bëri një vjeç.
Djali nisi të ecte, luante, buzëqeshte dhe i njihte anëtarët e shtëpisë. Dy, tre muaj pasi festoi ditëlindjen, nëna e tij Kristina pa se Luisi kishte shqetësime. I dhimbet veshi, nuk ndihej mirë edhe pse ishte shumë i vogël për të përshkruar se çfarë e shqetësonte.
Ankthi për nënën nisi të rritej, kur djali çohej në këmbë dhe pa pritur binte menjëherë në tokë, duke mos qenë i aftë për të mbajtur ekuilibrin. Luisi çohej, ecte në këmbë dhe pastaj rrëzohej…
Të shqetësuar nëna dhe gjyshja e çojnë në spitalin e Korçës. Mjekët menjëherë shkruan rekomandimin dhe i dërguan me urgjencë në Tiranë. Sapo mbërrijnë në Spitalin e Fëmijëve nisin vizitat njëra pas tjetrës. Luisi ishte i sëmurë, dhe ai duhet të futej në menjëherë në operim. Gjendja e tij ishte kritike për jetën.
Mjekët i thanë se djali binte dhe nuk kishte ekuilibër për shkak se truri i tij kishte mbledhur ujë. Por jo vetëm kaq, në trurin e Luisit të vogël që ende nuk kishte mbushur 1 vjeç e gjysmë, ndodhej një masë e madhe tumori që i krijonte probleme serioze.
Luisi nuk mund të mbante kokën drejt, ai nuk mund të qëndronte për kohë të gjatë pa mjekim, pa qetësues, për dhimbjen e kokës dhe gjithçka tjetër që i shkaktonte tumori.
“Menjëherë në sallë, në operacion”, kishin thënë mjekët.
Kristina dhe Ervini qanin, qanin e nuk mblidhnin dot veten. U tronditën, gjithçka po ndodhte ishte e papritur, dukej sikur po u binte qielli mbi kokë.
Mjeku kirurg pa çdo analizë dhe i tha se masa e tumorit dhe sasia e ujit ka bllokuar funksionet e trurit. Të nesërmen Luisi i vogël kreu ndërhyrjen e parë kirurgjikale.
Pas një muaji Luisi duhet të bënte ndërhyrjen e dytë. Të dy operacionit ishin tepër të vështira, rreziku shumë i lartë, por përsëri në kokën e Luisit ka mbetur një pjesë e tumorit e pa hequr.
Siç e kanë shpjeguar mjekët për familjarët, kjo ndërhyrje do një ekspertizë më të madhe dhe kushte më të specializuara sesa ka Shqipëria për të hequr tumorin plotësisht. Rreziku për të prekur nervat dhe receptorët është me pasojë humbjen e jetës.
Babai i Luisit, fshehurazi nga gruaja e tij duke u ndjerë i pafuqishëm, e mban veten në sy të familjes, por një spital i tërë e ka parë Erviin të qaj i dëshpëruar.
Nëna Kristina, nis të flasë për Luisin por pas pak minutash lotët e saj bien rrëke rrëke kur nis të tregojë kalvarin e vuajtjeve për të voglin e saj. Pas dy operacioneve mjekët thonë se Luisi duhet të bëj edhe kimioterapi dhe radio terapi…
Vetëm ndërhyrjet nuk mjaftojnë për të mbajtur tumorin në kontroll.
Për të sjellë Luisin në Tiranë, për të bërë çdo dy ditë rrugën Korçë Tiranë duhen paguar faturat e autobusëve. Veç shpenzimeve të udhëtimit, prindërit vendosin të marrin shtëpi me qira afër spitalit, të paguajnë ushqimet, ilaçet, rrobat dhe çdo gjë tjetër me një rrogë të vetme. Rrogën e gjysh Gjergjit sepse Ervini e ka humbur punën tashmë.
Familja detyrohet të marrë borxh ndërkohë që Luisi prej një viti qëndron në spital duke bërë për 25 ditë Radio Terapi dhe për 5 javë 5 seanca kimio terapie. Numri pesë i përndjek, pasi në mbi 5 mijë euro kanë shkuar edhe faturat e borxhit që prindërit e Luisit u kanë familjarëve.
Por nuk ndalojnë këtu vështirësitë, pas gjithë kimiove dhe rrezeve analizat thotë se tumori i mbetur nuk ka lëvizur asnjë milimetër. Terapia mbështetëse është rezistente, nuk i bën efekt, nuk i sjell asnjë përmirësim.
Djali është i lodhur, i sfilitur. E kupton që është i sëmurë, shpesh nuk di të tregojë se ku e ka dhimbjen dhe sa shumë vuan. Por prindërve nuk i bie në qafë me pyetje, nëse do të shërohet apo kur do të shërohet. Ai i sheh me dhembshuri, në heshtje. Nuk ka shumë fuqi, as për fjalë…
Prindërit e dinë që është i shqetësuar, se ai nuk bën më humor, nuk i imiton më ata, nuk është më entuziast siç ishte dikur, siç janë të gjithë fëmijët.
Luisi prej një jave ndodhet në spital, gjendja e tij është e rënduar, kokën nuk e mban dot drejt, nuk mund të ecë. Ai fle me mamin i përqafuar, ajo është ilaçi i tij.
Nuk shkon në kopësht si shokët e tij, kur mundet shikon kukulla në telefon, vizaton dhe ngjyros aq sa mundet, dhe sa ka durim. Këtë vit Zoti i ka sjellë një dhuratë të veçantë.
Më 27 shkurt lindi vëllai i tij Alteo. Luisi i thërret shkurt Teo.
Që kur Kristina ishte shtatzënë, Luisi i fliste, e përkëdhelte, e puthte që te barku i mamit.
Tani thotë që më shumë nga të gjithë dashurinë e ka ndarë sipas kësaj radhe: Do të parin vëllain, më pas mamin dhe babin.
Sot Teo djali i vogël rri te gjyshja. Një herë në ditë gjyshja e çon te nëna e tij në spital. Kristina i jep qumësht gjiri në repartin ku është shtruar i vëllai, sepse nuk mund të lërë dot vetëm Luisin.
Gjatë kësaj kohe edhe Luisi merr një filxhan me çokollatë të shkrirë, ngrohtësia dhe ëmbëlsia e tij duket se i zbukuron disi ditën. është ky ritual që ndryshon pak atmosferën e spitalit, që “zbeh” sadopak shqetësimet dhe vjen aromë shtëpie.
Luisi duhet të bëjë sa më shpejt operacionin më të rëndësishëm që vendos për jetën e tij. Në Shqipëri është e pamundur, mund të ketë pasoja fatale. Prej një jave nuk lëviz dot fare, ndodhet i shtruar në pavijon, në gjendje të rënduar, ka dhembje, më tepër fle gjumë për shkak të qetësuesve që i merr me serum.
Mjekët i kanë thënë se duhet të shkojë në spitale me teknologji të avancuar, ku ka robot kirurg, pajisje specfike, “bisturi robotike” me precizion të lartë. Mjekët thonë se nuk ka më kohë, dhe po bëhet vonë…
Mami qëndron më Luisin në spital, qëndron me shpresë se ndihma do të vij si një mrekulli për të voglin e saj.
Kristina i mban duart Luisit, ja ka vendosur aty zemrën e saj. Është zemra e nënës… Zemrat e nënave qajnë më shumë, vuajnë sepse ndiejnë më shumë. Fuqia e dashurisë së nënës nuk ka një formë, nuk ka një enë që e mban, por ka një peshë të madhe, peshën që pëshpërit me besim:
Askush Të mos dorëzohet, ende ka shpresë…
Top Channel