“Po flenë nëpër rrugë dhe parqe”, OKB: Shumica e strehimoreve të Libanit janë mbushur me njerëz të zhvendosur

04/10/2024 16:43

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thanë të premten se shumica e gati 900 strehimoreve të Libanit janë mbushur plotësisht dhe se njerëz që po ikin nga bombardimet izraelite, janë duke fjetur nëpër rrugë dhe parqe publike.

“Gati të gjitha 900 strehimoret kolektive të vendosura nga Qeveria në Liban janë mbushur tashmë”, tha Rula Amin nga agjencia e OKB-së për refugjatë.

Ajo tha se janë duke punuar me autoritetet vendore për të gjetur më shumë vende dhe se, në ndërkohë, disa hotele dhe madje klubet e natës në Bejrut janë duke i hapur dyert për të strehuar njerëz të zhvendosur.

Autoritetet libaneze thonë se mbi 1.2 milion libanezë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe gati 2.000 janë vrarë në vitin e fundit, prej se u përshkallëzua konflikti mes Izraelit dhe grupit libanez të mbështetur nga Irani, Hezbollah. Por, shumica e tyre janë zhvendosur dhe vrarë në dy javët e fundit.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

“Rrugët janë të mbushura me automjete, njerëzit po flenë në parqe publike, nëpër rrugë, në plazh”, tha Mathieu Luciano, shef i Zyrës së Organizatës Ndërkombëtare për Emigrantë në Liban.

Ai konfirmoi se shumica e strehimoreve janë mbushur plot, përfshirë ato në Bejrut, dhe se në disa prej tyre ka ende hapësirë.

Shumë prej strehimoreve janë shkolla, shtoi ai, që nënkupton se mësimi është ndërprerë.

Të premten, ushtria izraelite e mbylli pikë kalimin kryesor kufitar mes Libanit dhe Sirisë, duke e bllokuar kalimin e automjeteve, edhe pse Amin tha se disa njerëz po kalonin në këmbë.

“Ne kemi parë njerëz duke ecur, të etur për të ikur nga Libani. Pra, ata ecën nëpër atë rrugë të shkatërruar”, tha ajo.

Rreth 60 për qind të mbi 185.000 njerëzve që kanë ikur në Siri deri tani, janë fëmijë dhe adoleshentë, disa prej tyre pa prindërit e vet, tha Amin. /rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA