Nga Monika Stafa
…Mehmet Shehu kishte qenë një agjent i kalibrit të lartë, i disa agjenturave njëkohësisht dhe ngaqë Partia e zbuloi, vrau veten. – Mirë që i paska dalë koha Mehmetit të raportonte sa te njëra tek tjetra agjenturë…
Pjesë nga romani “Mossanga”
Në dekadat e fundit është provuar se shumica e diskutimeve dhe debateve mbi të kaluarën komuniste në vendet e Evropës Lindore është përqëndruar kryesisht në problemin e ruajtjes së kujtesës kolektive dhe se si faqet e saj duhet t’i shërbejnë historisë së një kombi. Kujtesa kolektive është një faktor thelbësor në formësimin e “politikës historike” të cdo kombi dhe shteti, i cili është i vetëdijshëm për të kaluarën e tij.
I pakontestueshëm është fakti se programet e edukimit historik të shoqërive edhe në letërsi por marrin gjithmonë e më shumë përmasa njohjeje, cka do të thotë se rrethrrotullimi i kohës brenda individit po bën trajektoren e nevojshme të saj. Proceset e përpunimit të kujtesës kolektive luajnë një rol të domosdoshëm në formësimin e së ardhmes, në ndërgjegjsimin e brezave.
Nën shijen e një kohe për të cilën lind nevoja të shkruhet na vjen papritur në dorë një roman aspak i zakonshëm.
‘Mossanga’ i Fate Velaj.
Romani është një zë i kohës, një vepër artistike ku mes një morie ngjarjesh plot ritëm që shtrihen në një strukturë të mirëndërtuar lexuesi mëson se çfarë ishte e natyrshme në Shqipërinë socialiste. Jeta në një qytet jo fort të vogël si Vlora për t’u shtrirë më pas në Tiranë, kryeqytetin e një vendi totalisht të izoluar edhe nga vetë kampi socialist ku ai me dëshirë kish vendosur të marrë pjesë. Një Vlorë që vazhdon të mirëpresë të huaj prej shekujsh duke shkrirë fatin e vet në lëkurën e tyre.
Mos vallë është kjo arsyeja përse udhëheqësit vazhdojnë ende ta lakmojnë si qytet, dje, sot dhe nesër?
Në roman mësuam se Enver Hoxha donte ta kthente si Aleksandrinë plot diell të Egjiptit. Sot, është Edi Rama që ende nuk e rrëfen ëndrrën sekrete që ka për këtë qytet. Në fakt c’të jetë ajo që e mundon për të?
Mister do të mbetet edhe për shkrimtarët modernë si F. Velaj.
Ky qytet me një breg të thellë ‘pasionesh’ si e folura e banorëve të tij me sa duket josh.
Dhe letërsia e tij merr papritur karakter dëshmues. Një letërsi me fare pak vëmendje nga autorët shqiptarë.
Në të gjitha kohërat letërsia dëshmuese ka qenë pjesë e historisë së shkrimeve ndaj dhe “Mossanga-ën” nuk mund ta heqësh nga dora pa shënime jashtë tekstit. Autori për secilën ndodhi të hedhur në përmbajtje nuk harron për asnjë cast të japë dëshmi referenciale për epokën, shprehur në fjalë metaforike e përshkrime fantastike mbi natyrën duke na çlodhur nga kanati në kanat prej ankthit të kohës.
Pikërisht i vendosur në funksionet e një dëshmitari, kronikani apo dhe historiani, letërsia e F. Velaj përgjithësisht dhe “Mossanga” cilësisht, bazohet mbi traditën e mirë të një letërsie tjetër, që sot në auolat mësimore dhe jo vetëm europiane po shërben edhe si një dëshmi e një kohe jo fort të largët.
Epokës komuniste për të cilën sot ende shkruhet pak.
Ngjarjet në roman njohin një kohë-shtrirje mesatarisht jo fort të zakonshme për një roman. Aty përshkruhet Shqipëria komuniste e vitit 1966 me liberalizimin e saj, vitet e errëta nën dimrin e madh e deri mbërritja e vitit Zero.
Sërish fillimi. Sërish tronditja. Viti 1991, kur personazhet e librit ndjekin fatin e tyre të brishtë teksa largohen nga Shqipëria.
Në të gjitha kohërat letërsia e historia kanë pasur një kushtëzim të ndërsjelltë. Gjatë tre dekadave të fundme ky kushtëzim është shfaqur në dy forma kryesore: si qëndrim i letërsisë ndaj historisë e si plotësim, interpretim e shpjegim i saj. E ndoshta kjo është koha kur letërsia dëshmuese po njeh një vërshim të vërtetë duke u bërë pjesë e qëndrueshme e rrjedhave letrare.
‘Mossanga’ është prova më e bukur e plotë në kuptimin e saj. Mbushur me histori nga bota e lindjes komuniste, me personazhe të skalitur mirë, aty tek dhoma e djemve nga Kongo mund të gjeje gjithcka shkruan autori: dhimbje, dashuri, mall, humor, gëzim ku me absurdin e një të ardhmeje të panjohur mund të kishe dëshirën të këndoje por dhe të kërceje.
Të qaje gjithashtu.
Megjithëse frika e kohës ishte një peshë e paevitueshme.
Shqipëria ishte një vend i izoluar plotësisht në varfërinë e vet. Një izolim që prodhonte errësirë e ku përtej errësirës ajo “hante” cdo ditë bijtë e vet. Përtej kësaj nuk kursente dhe bij të tjerë. Ata që kishin mbërritur aty prej besimit tek e njëjta ideologji, ideologjia marksiste që pat ndarë botën më dysh.
Ata ishin nga Kongo. Gjashtë vajza dhe tre djem. Me fatin e brishtë të secilit partia në sistem nuk kurseu askënd.
Kujtime të veshura në art, nga vetë karakteri i tyre i brendshëm vështruar jo vetëm si letërsi, ato janë burime dytësore plotësuese për shkrimtarin dhe gjithashtu forma dytësore të zhvillimit letrar të tij.
Ndaj duke shfletuar faqet e romanit mbushur me ndodhi emocionuese vërehet qartë se letërsia dhe vërtetësia shpesh paraqiten si faktorë alternativë; ku letërsia rrezikon zbukurimin e së vërtetës, ndërsa e vërteta padashur rrezikon deri diku humbjen e vlerës estetike.
Por Fate ja ka dalë mes këtij rreziku të ruajë zbulimin e brendisë njerëzore si dhe të pathënshmet e një kohe aspak të lehtë.
Europa e bashkuar gjithnjë e më shumë po arrin të shkojë drejt rrënjëve të saj historike, ndërsa është në kërkim të një kordoni që lidh kulturën e saj të përbashkët mbi memorien kolektive.
Romani “Mossanga” i Fate Velaj me një subjekt të tillë, aq i debatueshëm në mjediset universitare europiane, është një dëshmi e pastër për këtë. Dhe një Mausoleum i një Shqipërie tjetër.
Top Channel