Konflikti i armatosur në Gaza/ Luftë për mbijetesë, si është jeta mes vuajtjesh në një prej kampeve

04/10/2024 17:42

Ndërsa po shënohet pothuajse një vit nga fillimi i luftës, për banorët e Gazës, shtëpitë e të cilëve janë shkatëruar plotësisht, orvatjet për të garantuar nevojat bazë, janë bërë pjesë e përditshmërisë.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara 1.9 milionë njerëz ose 86% e popullatës që kishte ky rajon para luftës, janë zhvendosur. Shumë prej tyre jetojnë në kampe refugjatësh me mungesa të theksuara të produkteve ushqimore e kujdesit shëndetësor. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton.

Kampi Beit Lahyia, në pjesën jugore të Gazës, shërben si strehë për 200 familje.

Një prej tyre, familja Salha, qe u shpërngul nga pjesa veriore, pasi një sulm izraelit i shkatërroi shtëpinë.

Warda Almoslami, bashkëshorti i saj Monder, pesë djemtë dhe dy vajzat e tyre, jetojnë tani në një tendë me mbulesa plastike.

Çdo ditë është një sfidë më vete për ta.

“Gjithçka është bërë e vështirë sepse nuk ka ujë, energji apo gjëra të tjera të nevojshme. Gjëja e parë që bëjmë çdo ditë është të sigurojmë ujë të pijshëm. Me atë u laj fëmijëve fytyrën, u kreh flokët. Secili prej nesh ka detyrat e veta të përditshme”, thotë Warda Almoslami, një prej shumë të zhvendosurve në Gazë.

Sot, është detyrë e 13-vjeçares Bana Salha të mbushë ujë.

Bana, e cila së bashku me familjen e saj janë shpërngulur katër herë që kur u shkatërrua shtëpia, thotë se e ka marrë malli t’i kthehet normalitetit.

“Shpresojmë ta rindërtojmë shtëpinë. Duam ta rindërtojmë e të kthehemi në veri. Duam të shohim miqtë, shokët e shkollës, mësuesit e të kthehemi në shkollë”, thotë ajo.

Babai i Banës, Monderi, punonte në ndërtim.

Kjo është hera e katërt që ai ndërton një tendë me mbulesa plastike për familjen e tij, pasi i është dashur të lëvizë vazhdimisht për t’i shpëtuar luftimeve. Por me temperaturat që arrijnë deri në 8 gradë Celsius, Monderi thotë se po bën më të mirën për të ndërtuar një tendë që të mund t’i rezistojë dimrit. Ai thotë se nuk ka para për një strehë më të fortë, pasi nuk mund të gjejë punë.

“Gjetja e punës varet nga marrëdhënia që ke me komunitetin. Ne jemi të huaj këtu, pasi kemi ardhur nga një pjesë tjetër e Gazës dhe me luftën që vazhdon, nuk ka punë”, thotë ai.

Sikurse dhe gratë e tjera në kamp, Warda, e kalon pjesën më të madhe të ditës duke gatuar e pjekur bukë në një furrë prej balte. Disa prej bukëve ajo i shet, duke siguruar një sasi të vogël të ardhurash.

Në fund të ditës, ajo mblidhet me gratë e tjera për të pushuar, por bisedat e tyre siç thotë ajo, dominohen nga lufta dhe dimri i ftohtë që po afron.

“Kudo ka bombardime, në çdo zonë. Nuk ka rëndësi nëse aty ka njerëz apo jo. Ka bombardime në tregje, në shkolla, gjithandej. Tashmë druhemi edhe nga shiu pasi nuk jemi të përgatitur për dimër”, thotë Warda Almoslami.

Përpjekjet e shumta për paqe në Gazë kanë dështuar. Izraeli thotë se lufta do të përfundojë vetëm me shkatërrimin e Hamasit dhe me kthimin e gjithë atyre pengjeve që vazhdojnë të jenë në duart e grupit militant që nga sulmi i 7 tetorit ndaj shtetit hebre, një vit më parë. /voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA