Dosjet e ish-policive sekrete, mbahet në Tiranë konferenca e Rrjetit Europian të Arkivave

04/10/2024 19:50

Për herë të parë mbahet në Tiranë Konferenca e Rrjetit Europian të Arkivave të Ish-Policive Sekrete, ku diskutohet mbi çështjet që lidhen me procesin e shqyrtimit të dosjeve e policisë sekrete.

Qëllimi i këtij rrejti është shkëmbimi i eksperiencave në menaxhimin e dokumenteve të ish-policisë sekrete.

“Përherë e më shumë bindem që kjo punë që bëjmë ne është shumë e nevojshme për shoqërinë, është shumë e nevojshme të lidhemi me njëri tjetrin. Do doja që kjo lëvizje të shtohej. Do doja shumë që  Kroacia, Maqedonia, Kosova të kishin të njëjtat lëvizje, të njëjta institucione. Besojë që aq përpjekje sa harxhohet për luftë, një fraksion të harxhohet për paqen dhe të drejtat e njeriut dhe për projekte reflektuese si këto tonat, bota do ishte më e mirë”, thotë Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH).

Mes diskutimeve mbi arkivat e ish-policive sekrete, mbajti fjalë dhe Ambasadori Gjerman në Shqipëri.

Karl Bergner, Ambasadori Gjerman ne Shqipëri shprehet: “Është e rëndësishme për mbarë-shoqërinë që të shërohet dhe të kuptojë të shkuarën dhe mekanizmat e funksionimit të atij sistemi por dhe të krijojmë kulturën e kujtesës dhe përballjes me të shkuarën brenda shoqërive tona.”

Nikolin Kurti është nipi i Dom Shtjefën Kurti, një klerik i krishterë i cili u ekzekutua në komunizëm. Ende sot e kësaj dite varri i tij nuk është gjetur. Përmes autoritetit të dosjeve, ai ka mundur të hedhë dritë mbi  atë çka ndodhur në të vërtet me xhaxhanë e tij.

“Pikërisht për raportet midis regjimit komunist dhe tij si person duhej një arshivë e Ministrisë së Brendshme. Me autoritetin e dosjeve të sigurimit të shtetit krijova një raport pune, bashkëpunimi shumë të frytshëm dhe më dha rezultatet e veta. Aty ka gjëra të cilat me një arsyetim të hollë, të thjesht dhe inteligjent mund ta kuptosh saktë se çfarë ka ndodhur në atë kohë”, thotë Kurti.

Tematika e Konferencës së 16-të të Rrjetit Europian të Arkivave të Ish-Policive Sekrete, është “Vizion i përbashkët – aksione sinergjike” ku morën pjesë dhe përfaqësuesit e Autoriteteve Përgjegjëse nga Gjermania, Bullgaria, Republika Çeke, Sllovakia, Polonia, Rumania dhe Hungaria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA