Izraeli vret kreun e Hamasit në Liban, goditet dhe Fronti për Çlirimin e Palestinës

30/09/2024 07:07

Hamasi njoftoi se kreu i degës së tij në Liban është vrarë nga sulmet ajrore izraelite në jugun e vendit.

Sipas njoftimit, Fateh Sherif Abu el-Amin, humbi jetën së bashku me disa pjesëtarë të familjes së tij në banesën e tyre në kampin Al-Bass.

Edhe pse bazën e ka në Gaza, ku vazhdon të luftojë me shtetin hebre që prej sulmit të tij të 7 tetorit, Hamasi ka prani edhe në Liban. Si ai, ashtu edhe Hezbollahu, mbështeten e financohen nga Irani.

Nga ana tjetër, edhe Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës njoftoi se tre nga udhëheqësit e tij u vranë në një sulm në qendër të Bejrutit. Sulmi vjen një ditë pasi Izraeli kreu sulme ajrore “në shkallë të gjerë” në Jemen, duke syhënjestruar ato që i cilëson “objektiva ushtarake të regjimit terrorist Houthi”.

Zyrtarët në Liban thonë se 105 persona u vranë vetëm të dielën nga bombardimet, dhe se gati 1 milionë vetë mund të zhvendosen tani. Sipas raporteve izraelite, dhjetëra pozicione dhe depo armësh të Hezbollahut u sulmuan gjatë rifillimit të zjarrit intensiv izraelit në Libanin jugor, ndërsa sipas mediave gjithashtu disa mjekë u vranë.

Ushtria izraelite raportoi se disa raketa goditën veriun e Izraelit, por raketat ranë në zona të hapura pa lënduar askënd. Gjithashtu u raportua se një dron u dërgua në drejtim të Izraelit nga Iraku dhe u kap. Libani ka shpallur tre ditë zie kombëtare për të përkujtuar vdekjen e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

Mbështetësit e tij ende nuk mund ta besojnë atë që ndodhi: “Ne kurrë nuk kemi përjetuar diçka të tillë në jetën tonë”, thonë ata: “Bombat tronditën tokën, ishte si dita e gjykimit”.

Nasrallahu është heroi i kombit arab, Zoti e mëshiroftë”. Kryeministri në detyrë Nadschib Mikati u bëri thirrje të gjithë libanezëve që të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre dhe të përqëndrohen në “mbrojtjen e atdheut”. Tani është e paqartë se si do të sillet Irani, aleat i Hezbollahut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA