Qindra punonjës të hekurudhave franceze protestonin sot para ministrisë franceze të ‘tranzicionit ekologjik’, për të kundërshtuar hapat drejt privatizimit të plotë të rrjetit shtetëror të hekurudhave SNCF, teksa ministria e transporteve ka nisur papritur reduktimin e numrit të trenave.
Fabien Villedieu, kreu i sindikatës të punëtorëve tha se lëvizjet e padeklaruara të qeverisë nuk kanë logjikë të qartë:
“Njerëzit nuk dinë asgjë për këtë, por në një kohë që flasin për ekologjinë dhe klimën, qeveria nën udhëzimet e Brukselit nis të shkatërrojë transportin më ekologjik që kemi, rrjeti i trenave SNCF”, tha Villedieu per rrjetin AFP
“Gjithashtu kemi dalë këtu pasi prej dhjetorit 1,200 kolegë të trenave rajonale TER, punonjës, shoferë, inspektorë dhe punonjës biletarie, do të transferohen në linja të tjera dhe kjo do të thotë nisjen e privatizimit të SNCF. Ironikisht, britanikët që privatizuan hekurudhat në 1994, tani kanë nisur t’i ri-nacionalizojnë prej dështimit të skemës, kurse ne nisim të bëjmë të njëjtin gabim. Ne po nisim privatizimin e hekurudhave shtetërore SNCF. ”
Sindikalisti shtoi më tej se qeveria planifikonte shtimin e autobusëve për të zëvendësuar trenat rajonalë, duke thënë se “favorizon transportin rrugor”.
“Ministri i ri dihet që ka krijuar një plan për shtimin e autobusëve rajonalë, siç na tha sekretarja e tij, ai do të krijojë linja autobuzësh mes qyteteve, kjo është për të zëvendësuar trenat ekspres rajonalë”, tha Fabien Villedieu
Kolegu i tij Thierry Nier, dënonte të djathtën e ardhur në pushtet në Francë, që sipas tij po nxit privatizimin e hekurudhave:
“E djathta që ka ardhur në pushtet nuk kishte përmendur ndonjëherë zhvillimin e hekurudhave, por tani dëshiron t’i shkëpusë ato nga shteti për të plotësuar udhëzimet e Brukselit”.
“Ne themi se ka shumë mënyra për të zhvilluar hekurudhat nëse qeveria na lejon të menaxhojmë veten tonë duke i dhënë prioritet projekteve të caktuara”, tha sindikalisti Nier, shkruan rrjeti vendas AFP.
Top Channel