Në krye të katër viteve nga regjistrimi i procedimit për dosjen “Partizani”, SPAK mbylli hetimet dhe ngriti akuza ndaj pesë personave, më i rëndësishmi Sali Berisha, ish-kryeministër.
Ish-kryeministri, i cili është njohur me aktakuzën dy javë më herët, kishte dërguar një nga avokatet për të firmosur mbylljen e hetimeve. Mbrojtësja Klodiana Gjyzari tërhoqi dosjen ku bëhet me dije finalizimi i procedimit.
Edhe dhëndëri i tij, Jamarbër Malltezi nuk ishte paraqitur, ai kishte dërguar avokatin Klodian Skënderi.
Berisha akuzohet për korrupsion, kurse Malltezi për korrupsion dhe pastrim parash, këto dy akuza rëndojnë edhe ndaj Fatmir Bektashit. Mbas mbylljes së hetimit, pesë të akuzuarit kanë dhjetë ditë kohë të parashtrojnë kundërshtimet.
E më pas çështja shkon tek gjyqtari paraprak që do të përzgjidhet me short dhe që do të vlerësojë nëse janë apo jo hetimet të plota, që çështja “Partizani” të kalojë në gjykim themeli.
Top Channel