Dy shqiptarë pjesë e një grupi kriminal kanë rënë në pranga pas një operacioni ndërkombëtar antidrogë, njofton Prokuroria e Posaçme.
Bëhet fjalë për J.K. dhe A.M. Në Shqipëri janë kryer 21 kontrolle banesash dhe ambiente të tjera, ndërsa janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 30 mijë Euro, 6 mijë Paud, 2 automjete, 1 armë, 4 ora të markës Rolex, 26 aparate celulare, dokumente, sende të tjera me vlerë, si dhe prova të tjera materiale.
Operacioni, i zhvilluar sot, në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet italiane, zviceriane, polake, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u bë në kuadër të hetimeve për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” dhe “Mashtrimi në investime në shuma të mëdha”, thuhet në njoftim.
Nga hetimet rezulton se një grup i strukturuar kriminal trafikonte lëndë narkotike të llojit kokainë nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht Italisë, ndërsa e ushtronte aktivitetin e paligjshëm në Itali, Shqipëri, Poloni dhe Zvicër.
Të dyshuarit pastronin fitimet e tyre të paligjshme nëpërmjet një rrjeti të panumërt kompanish, të drejtuara nga një organizatë italo-kineze, e krijuar për këtë qëllim, e cila furnizonte fatura false për rreth 375 milionë Euro. Nga hetimi janë sekuestruar 360 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, armë dhe sende të tjera me vlerë, të përllogaritura në vlerën prej 60 milion Euro cash.
Top Channel