Pas bashkimit të partisë, Sali Berishës i duhet të bëjë bashkë aleatët për zgjedhjet e pranverës. Bisedimet nuk parashikohen të lehta pasi lideri i opozitës duhet te ruaje balancat mes aleatëve te rinj dhe te vjetër por edhe demokratëve që shpresojnë një vend te sigurt në listën e partisë.
“Ilir Meta nuk ka nevojë për shpërblim, meta është i konsoliduar, partia e tretë më e madhe e vendit, cili do të jetë koalicioni, por jo shpërblimi do të shqyrtohet në kohërat që vijnë”, tha Berisha.
Republikani Fatmir Mediu, aleat historik i demokratëve kërkon që në negociata te vlerësohem pesha elektorale e partive që do rreshtohen në çadrën e një koalicioni.
“Çdo forcë politike që bëhet pjesë e një liste të përbashkët, duhet ta shikojë si pjesë e një kontributi për të shtuar numrin e deputeteve të opozitës për të fituar zgjedhjet. Nëse pastaj shkohet në mënyre preferenciale si ky është i imi ky i yti, unë jam deputet ti jo, atëherë po shihet për të gjetur vend pune, jo për të bërë atë që duhet për qytetarët shqiptarë”, tha Mediu.
Qëndrimet e demokratëve ndaj ndërkombëtarëve dhe drejtësisë kanë larguar aleatin tradicional, Dashamir Shehi, i cili ka vendosur të dalë i vetëm në zgjedhje.
“Nuk mund të bëjë e djathta shqiptare armiq miqtë më të mirë si SHBA, Europën, Britaninë. Këto kolegët tonë opozitarë i thonë bande kriminale PAK-ut dhe shkojnë dorëzojnë letra ndaj ne kemi vendosur të hyjmë më vete, jo Noka, por edhe sikur Berisha të na thotë”, tha Shehi.
Top Channel