Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva ngriti një nivel më lart kritikat e fundit për përbërjen e Këshillit të Sigurimit të OKB, duke e quajtur ‘trashëgimi të kolonializmit’ teksa i referohej mospërfshirjes në të Amerikës Latine e Afrikës.
“Përjashtimi i kontinenteve të tëra nga Këshilli i Sigurimit është jehonë e praktikave të dominimit kolonialist të së shkuarës,” tha Lula në asamblenë e përgjithshme.
Ai shtonte: “Jam i vetëdijshëm që reforma të tilla mund të jenë komplekse, dhe se ato shkojnë kundër interesave të thella që kërkojnë të ruajnë status quo-në.”
Anëtarët e përhershëm me fuqi veto-je në Këshillin e Sigurimit të OKB janë fituesit e Luftës II Botërore, Britania, Kina, Franca, Rusia dhe SHBA.
Presidenti amerikan Joe Biden tha në fjalën e tij se “SHBA mbështet zgjerimin e Këshillit të Sigurimit të institucionit botëror”.
Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha javën e kaluar se mbështet idenë e dy vendeve të përhershme për Afrikën si dhe një vend për shtete të vogla ishullore.
Brazil, Gjermania, India e Japonia dhe kanë kërkuar vende të përhershme në Këshillin e Sigurimit dhe përsëritën kërkesën e tyre në një takim të përbashkët të hënën, shkruan rrjeti AFP.
Top Channel