Për herë të parë, Elbasani krijon një bibliotekë ambulante e cila do të shkojë aty ku ka më shumë nevojë për libra.
Biblioteka e Qytetit të Elbasanit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit, sipas së cilës, kjo bibliotekë do t’u shërbejë me libra të paraburgosurve në paraburgimin e Elbasanit.
“Është hera e parë që ne si bibliotekë e Elbasanit që krijojmë një bibliotekë të lëvizshme brenda qytetit tonë. Është një nismë që u vjen në ndihmë të gjithë atyre që presin vendimin e formës së prerë dhe në këtë periudhë që janë të ndaluar të kenë mundësi të kalojnë një kohë sa më afër me librat”- u shpreh Gledian Llatja, Kryetar i Bashkisë Elbasan.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Klevis Qose vlerësoi këtë nismë duke bërë apel që të gjitha bashkitë t’i bashkohen ndërsa shtoi se e gjithë shoqëria duhet të ndihmojë në rehabitilitim dhe riintegrimin e shoqëri të të dënuarve.
“Është e para bashki në Shqipëri që sjell një risi me një bibliotekë ambulatore. Për banorët e sistemit të paraburgimit është një pjesë e procesit të rehabilitimit dhe riintegrimit në shoqëri. Në këto kushte dhe rrethana që jemi e gjithë shoqëria duhet ti mbështesë, pavarësisht se të gjitha institucionet kombëtare janë të angazhuara plotësisht që këtë kategori të shtetasve shqiptarë, t’i mbështesë, jo vetëm me libra, por në të gjitha format dhe mënyrat për rehabilitimin në shoqëri.
Librat janë ata që na kanë sjellë sot këtu, na kanë bërë pjesë të shoqërisë tonë, pa libra dhe dije nuk shkojmë askund. Edhe pjesa e shoqërisë tonë që i është privuar liria, me libra do të jenë më pranë vetes, më pranë familjes, më pranë dijes, por edhe më pranë përkushtimit dhe vazhdimit të jetës”.
Qose u kujdes të theksonte se personat me masë sigurie që ndodhen në ambientet e paraburgimeve janë të pafajshëm derisa ndaj tyre të ketë një vendim gjykate, ndaj dhe mbështetja për ta duhet të jetë më e madhe.
Top Channel