Libani akuzon Izraelin: Vranë 50 njerëz dhe plagosën mbi 300 të tjerë

23/09/2024 13:45

Ministria e Shëndetësisë e Libanit thotë se bombardimet e ushtrisë izraelite nëpër Liban të hënën i kanë vrarë 50 njerëz dhe i kanë plagosur 300 të tjerë.

Ministria tha se në mesin e të vrarëve dhe plagosurve ka gra dhe fëmijë. Ushtria izraelite kreu sulme ajrore në jug dhe verilindje të Libanit të hënën në mëngjes.

Ajo tha se i goditi 300 shënjestra në Liban, në përpjekje për ta rritur trysnin ndaj Hezbollahut, grupit militant të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Ushtria njoftoi për bombardimet e reja përmes një postimi në rrjetin social X, ku e postoi një fotografi të shefit ushtarak, gjenerallejtënant, Herzi Halevi, duke urdhëruar sulme shtesë nga shtabi i ushtrisë në Tel Aviv.

Këto janë bombardimet më të ashpra të Izraelit në Liban prej se nisën luftimet mes tij dhe Hezbollahut tetorin e kaluar. Halevi dhe liderë të tjerë izraelitë janë zotuar për veprime më të ashpra ndaj Hezbollahut në ditët e ardhshme.

Teksa ushtria izraelite kreu sulmet, autoritetet izraelite raportuan për një sërë sirenash në veri të Izraelit, duke i paralajmëruar banorët për sulme raketore nga Libani.

Të hënën në mëngjes, Izraeli u bëri thirrje banorëve në jug të Libanit të largohen nga shtëpitë e tyre në pjesët ku tha se Hezbollahut ruan armët, duke i paralajmëruar për “bombardime të ashpra” atje.

Hezbollahu dhe Izraeli këmbyer zjarr në mënyrë intensive të dielën, pasi grupi militant libanez hodhi qindra raketa thellë brenda territorit izraelit duke iu përgjigjur bombardimeve izraelite.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se bombardimet do të vazhdojnë derisa të garantohet siguria për kthimin e të shpërngulurve nga pjesa izraelite e kufirit.

Hezbollahu është përballur me trysni të madhe në javët e fundit, pasi javën e kaluar mijëra pajisje komunikimi – pejxherë dhe radiolidhje – të përdorura nga pjesëtarët e saj shpërthyen.

Për shpërthimin e këtyre pajisjeve Hezbollahu e ka fajësuar Izraelin, i cili as nuk e ka pranuar e as mohuar përgjegjësinë./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA