Futbollistë të huaj pa limit në fushë dhe televizion për FSHF, zbardhen vendimet e fundit të komitetit ekzekutiv

22/09/2024 17:42

Nga janari i vitit 2025 skuadrat e Superiores mund të kenë 7 të huaj në fushë, nga 5 qe është numri i lejuar aktualisht.

Ndërsa nga sezoni i ardhshëm numri i të huajve di të jetë pa limit. Këto janë disa nga vendimet e fundit të komitetit ekzekutiv të FSHF, që mund te kenë efekt në cilësinë e një kampionati që prej kohësh vuan mungesën e tifozëve dhe prodhimin e talenteve të reja.

Nuk dihet nëse për këtë kërkesë është marrë miratimin nga klubet e futbollit, apo kanë qenë këto të fundit që e kanë kërkuar. Ndërkaq, FSHF planifikon të hap një kanal TV të dedikuar.

Vendimet:

Më konkretisht, sipas këtij vendimi duke nisur nga muaji janar 2025 (me hapjen e merkatos së ardhshme të futbollit) klubet e kategorisë “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë do të kenë të drejtën të aktivizojnë njëkohësisht 7 lojtarë të huaj në fushën e lojës gjatë ndeshjeve.

Ndërkaq, duke nisur nga sezoni 2025-2026, klubet e kategorisë “Abissnet Superiore” mund të aktivizojnë lojtarë të huaj pa limit, ndërsa për klubet e Kategorisë së Parë mbetet në fuqi rregulli me 7 lojtarë të huaj në fushë njëkohësisht.

Sa i përket Kategorisë së Dytë, KE vendosi të heqë kufizimin për numrin e lojtarëve që vijnë nga jashtë qarkut.

Komiteti Ekzekutiv ka miratuar gjithashtu çmimet e biletave për dy ndeshjet e ardhshme të Kombëtares ndaj Çekisë dhe Ukrainës, që luhen në muajin nëntor në Tiranë.

Gjithashtu, u diskutuan dhe u miratuan propozimet për rikonstruksionin e fushës me bar artificial në aneksin e stadiumit “Kastrioti” dhe për krijimin e një fushe të re me bar sintetik në “Shtëpinë e Futbollit”.

Sa i përket infrastrukturës sportive në Shkodër, FSHF në bashkëpunim me klubin Vllaznia dhe Bashkinë Shkodër kanë rënë dakord për konstruksionin e një fushe me bar natyral në njësinë administrative Postribë dhe për mbështetjen e projektit të rikonstruksionit të fushave tek“Kompleksi Sportiv Zmijani”.

Po në lidhje me infrastrukturën, u miratua edhe kërkesa për mbështetje financiare referuar projektit për rikonstruksionin e tapetit dhe dhomave të zhveshjes tek “Myslim Koci”, në Gramsh.

Gjatë mbledhje u diskutua dhe u miratuan propozimet për qendërzimin e sistemit VAR dhe propozimi për krijimin e një platforme televizive FSHF – TV.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA